Bashkëpunëtorët e dyshuar të shqiptarit që vrau katër persona në Vjenë përdorën “Binance”-n

Bashkëpunëtorët e dyshuar të shqiptarit që vrau katër persona në Vjenë përdorën “Binance”-n

Kronika January 21, 2022 - 14:42

Dy persona nga Gjermania, të dyshuar se kanë ndihmuar një të armatosur islamik, i cili vrau katër persona në Vjenë në vitin 2020, përdorën shkëmbimin kryesor të kriptovalutave “Binance”, tha policia federale gjermane në një letër konfidenciale, duke kërkuar informacion nga kompania.

Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) tha në letrën e marsit 2021, e cila u pa nga “Reuters”-i, se kishte indikacione se të dyshuarit blenë ose shitën një sasi të paspecifikuar të kriptovalutave në “Binance”, transmeton Zeri.info.

Prokurorët i kanë identifikuar personat si Drilon G., shtetas gjerman dhe Blinor S. nga Kosova. “Reuters”-i mban të fshehtë emrat e tyre të plotë. Blinor S. përdori një llogari bankare për të kryer “disa” transaksione me “Binance”, shkruan BKA. Një kod verifikimi i “Binance” nga shkurti u gjet në telefonin e Drilon G., shtoi kjo zyrë. BKA-ja nuk dha detaje për datat, numrin ose vlerën e transaksioneve. Zyra i kërkoi “Binance”-s të sigurojë të dhëna në lidhje me çiftin, duke përfshirë të gjitha transaksionet e valutës digjitale.

Kërkesa, tha ai, ishte në lidhje me “planet e mundshme të sulmit terrorist”, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Reuters” nuk mund të përcaktojë se si “Binance”, shkëmbimi më i madh i kriptovalutave në botë sipas vëllimeve të tregtimit, iu përgjigj letrës. “Binance” nuk komentoi.

BKA nuk pranoi të komentojë. Blinor S. dhe Drilon G., në mesazhet e shkëmbyera me “Reuters”-in, mohuan të kenë ndihmuar të armatosurin Kujtim Fejzullai dhe të kenë përdorur kriptovaluta për të financuar sulmin e tij ose të ndonjë sulmi tjetër. Blinor S. tha se hapi një llogari “Binance” në shkurt dhe e përdori atë vetëm për të investuar në kriptovaluta të ndryshme.

“Unë e di që çdo transaksion në ‘Binance’ është i gjurmueshëm”, tha ai. Avokatët e të dyve thanë se asnjëri nuk ishte akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim dhe asnjë urdhër arresti nuk ishte lëshuar. Që nga viti i kaluar, “Binance” ka qenë nën presionin e rregullatorëve financiarë në të gjithë botën. Rregullatorët në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Azi kanë bërë thirrje për kontrolle më të forta të pajtueshmërisë në shkëmbimet e kriptove për të parandaluar pastrimin e parave dhe përdorime të tjera të paligjshme të valutave digjitale, transmeton Zeri.info.

Sulmi i Vjenës më 2 nëntor 2020, Fejzullai, një 20-vjeçar austriak, i cili gjithashtu kishte nënshtetësi maqedonase, u vra nga policia disa minuta pasi ai hapi zjarr mbi baret e mbushura me njerëz në Vjenë. I armatosur me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar, ai kishte hapur zjarr në gjashtë vende pranë sinagogës kryesore të Vjenës. Shteti Islamik më vonë mori përgjegjësinë për sulmin.

Në një deklaratë publike në korrik të vitit të kaluar, prokurori i përgjithshëm federal i Gjermanisë tha se Drilon G. dhe Blinor S. dyshoheshin se kishin ditur paraprakisht për sulmet dhe nuk i raportuan ato në polici. Deklarata tha se forcat speciale dhe zyrtarët e BKA-së kishin kontrolluar adresat e dyshes në qytetet gjermane, Kassel dhe Osnabrueck.

Zyra e prokurorit, duke i quajtur burrat “bashkëpunëtorë të dyshuar në sulm”, nuk përmendi kriptovalutat, “Binance”-n, ose ndonjë provë që ata financuan Fejzullain. Avokatët e tyre konfirmuan për “Reuters”-in që të dy ishin objektiva të hetimit penal të BKA-së.

Dyshja kishin qenë në kontakt të ngushtë me Fejzullain në mediat sociale para sulmeve, thuhet në deklaratën e prokurorëve dhe në korrik 2020 qëndruan në banesën e tij në Vjenë për disa ditë së bashku me islamistët nga Austria dhe Zvicra. Deklarata theksoi “marrëdhëniet e tyre të ngushta personale me vrasësin dhe ndjenjat e tyre të përbashkëta radikale islamike” , transmeton Zeri.info.

Blinor S. i tha “Reuters”-it se nuk kishte prova për pretendimet e prokurorëve. Drilon G. tha se akuzat ishin të rreme dhe se ai “nuk kishte asnjë lidhje me sulmin e tmerrshëm terrorist”. Prokuroria nuk pranoi të komentonte, duke thënë se hetimet ishin në vazhdim.

Zyra e prokurorit tha se ADN-ja e pjesëmarrësve të paspecifikuar në takimet e Vjenës u gjet më vonë në armët e Fejzullait dhe në një unazë të Shtetit Islamik që ai mbante gjatë sulmit. Pak para se Fejzullai të fillonte sulmin e tij në mbrëmjen e 2 nëntorit, Blinor S. dhe Drilon G. fshinë komunikimet me Fejzullain në telefonat e tyre celularë dhe profilet e mediave sociale, tha Zyra e Prokurorit. /Zëri