Shkatërrohet grupi i vrasësve me pagesë në Tiranë: 5 të arrestuar, 2 nën hetime dhe 1 në kërkim

Shkatërrohet grupi i vrasësve me pagesë në Tiranë: 5 të arrestuar, 2 nën hetime dhe 1 në kërkim

Kronika January 27, 2022 - 14:12

Një grup vrasësish profesionistë është shkatërruar në kuadër të finalizimit të një operacioni policor të koduar “Storm”.

Në një deklaratë për mediat, policia tha se pesë persona janë arrestuar, dy të tjerë po hetohen dhe një është shpallur në kërkim.

Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin; Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamuras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje; Robert Laci, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë; Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Po ashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi Erion Mulaj, 30 vjeç, banues në Durrës.

Në gjendje të lirë janë proceduar shtetasit M.M., 67 vjeç, banues në Durrës dhe E. V., 30 vjeçe, banuese në Kurbin.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi Shpetim Kraja, 35 vjeç, banues në Shkodër, i akuzuar për vjedhje.

Mësohet se janë zbardhur dy vrasje të mbetura në tentativë, dy vjedhje të automjeteve dhe vjedhje të sendeve personale dhe portofilit të një shtetasi që kthehej nga Gjermania.

Policia ka sekuestruar edhe veshje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, dy automjeteve të vjedhura, targa automjetesh të vjedhura, një armë gjahu, municion luftarak, 13 aparate celularë dhe sende të tjera të vjedhura.

Si rezultat i hetimeve të deri të tanishme, rezulton se këta shtetas, sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, janë autorë të dyshuar të disa ngjarjeve./Tch