Dënohet me 100 euro gjobë i akuzuari për vjedhjen e dy gjelave në Skenderaj

Dënohet me 100 euro gjobë i akuzuari për vjedhjen e dy gjelave në Skenderaj

Kronika May 22, 2022 - 20:27

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, e ka dënuar me 100 euro gjobë A.A., pasi prokuroria e akuzonte atë se në kotecin e pulave të të dëmtuarit M.H., i ka vjedhur dy gjela.

Aktgjykimi në fjalë është marrë nga gjykatësi Fatos Sejdijaj më 13 janar 2020, pasi gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që ndaj të akuzuarit të shqiptohet urdhri ndërshkimor, përkatësisht dënimi me gjobë pa u mbajtur shqyrtimi gjyqësor.

Pala e dëmtuar në këtë rast, M.H. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata vlerësoi se në shkresat e lëndës ekzistojnë prova të besueshme për dhënien e urdhrit ndëshkimor të cilat e vërtetojnë faktin se i akuzuari ka kryer veprën penale në fjalë si: Kallëzimi penal me numër rasti … i datës 24.12.2018, Raporti Policor nr…. i datës 24.12.2018, Procesverbali mbi marrjen në pyetje të viktimës nr…. i datës 24.12.2018, Procesverbali mbi marrjen në pyetje të dyshuarit nr…. i datës 24.12.2018, foto dokumentacioni dhe shkresat e tjera të lëndës, gjykata të njëjtin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimin si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në tetor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj A.A., me arsyetimin se ai në dhjetor 2018 në Skenderaj, në kotecin e pulave të M.H., me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, i ka vjedhur dy gjela dhe pastaj ka ikur rrugës në drejtim të shtëpisë së tij.

Me këtë A.A. akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 325, paragrafi 2 të Kodit Penal.