Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për lëndim të rëndë trupor

Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për lëndim të rëndë trupor

Kronika June 24, 2022 - 16:19

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 22.06.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 07.07.2022, ndaj të pandehurve R.B., dhe A.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par. 3 nën par 3 në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas njoftimit thuhet se Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë shkaktuar lëndim trupor, raporton Zeri.info.

“Me datën 22 qershor, në orët e pasdites në Prizren, të pandehurit, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmtojnë shëndetin të dëmtuarit A.S., në atë mënyrë që në ditën kritike, për shkak të një mosmarrëveshjeje me fqiun e tyre - të dëmtuarin, e sulmojnë atë fizikisht, i pandehuri R.B., e godet me një thikë (brisk dore) ndërsa i pandehuri A.Sh., e godet me një shufër metalike mjete këto që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore ose dëmtim të rëndë të shëndetit në pjesën e abdomenit dhe pjesë tjera të trupit , si pasojë e këtyre veprimeve, të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime rënda trupore ,sipas raportit mjekësor të emergjencës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, me lënien në liri të të pandehurve, të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh edhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, dhe rrezikshmërinë shoqërore, ashtu që vepra penale është kryer në një vend publik, si dhe duke vlerësuar vendosmërinë e të pandehurve të cilët në bashkëkryerje e sulmojnë të dëmtuarin me mjete të rrezikshme dhe i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, kjo lë të besohet se me lënien në liri mund të vi deri te përsëritja e veprës penale, apo të kryejnë vepra tjera penale edhe më të rënda".

Nga rrethanat e lartcekura, gjyqtarja e procedurës ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës hetimore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Zëri