26-vjeçari në Pejë sulmon seksualisht nënën, dyshohet se e preku dhe puthi me dhunë disa herë

26-vjeçari në Pejë sulmon seksualisht nënën, dyshohet se e preku dhe puthi me dhunë disa herë

Kronika August 08, 2022 - 14:33

Një rast jo fort i zakonshëm dhe në të njëjtën kohë i tmerrshëm është denoncuar të ketë ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në rrugën “Adem Mala” në Pejë, ku një 26-vjeçar po dyshohet se ka sulmuar seksualisht nënën e tij dhe ka ushtruar dhunë në familje.

Kjo ngjarje e rëndë për familjen u raportua nga nëna e të dyshuarit, e cila e njoftoi Policinë dhe rrëfeu se si u përball me të birin derisa ishin në veturë dhe kur u kthyen në shtëpi.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në bazë të dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve policorë kuptohet se gjithçka nisi rrugës, teksa po shkonin në një aheng familjar bashkë me djalin.

E shqetësuar skajshmërisht për atë që i ndodhi, viktima ka deklaruar se derisa ishte në veturë me të birin, ai kishte filluar ta ngacmojë, duke e ledhatuar e prekur në këmbë e duar. Kjo situatë e tmerroi atë dhe nuk pati guxim t’i flasë të birit deri në momentin që arritën në restorant.

Në gjendje tronditjeje ajo qëndroi në aheng dhe më pas u kthyen në shtëpi, kur eskaloi gjithçka. I dyshuari, sipas nënës së tij, posa kishin arritur në shtëpi ka vazhduar ta prekë me zor, saqë për një moment fillon edhe ta puthë. Gjatë gjithë kohës, sipas nënës, djali ka pasur një thikë në dorë. Puthjet, prekjet e veprime të tjera të ngjashme e trishtuan atë, për çka vendosi që të kërkojë ndihmë, duke bërtitur në mes të oborrit, raporton Sinjali.

Fatmirësisht, sipas saj, e ndihmoi fqinji, i cili arriti ta ndalojë djalin dhe më pas njoftuan Policinë, me ç’rast i dyshuari u prangos dhe u dërgua në stacion.

Ndaj tij prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për tri vepra penale.