Gjykimi ndaj Shyqri Haxhës, dëshmitari thotë se ndërhyrja e aksionarëve në statutin e PTK-së ishte e kundërligjshme

Gjykimi ndaj Shyqri Haxhës, dëshmitari thotë se ndërhyrja e aksionarëve në statutin e PTK-së ishte e kundërligjshme

Kronika October 05, 2022 - 21:59

Dëshmitari Sebahedin Ramagjiku tha se ndërhyrja në statutin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) nga ana e aksionareve kishte qenë në kundërshtim me ligjin.

Këtë deklarim Ramagjiku e dha të mërkurën, në rastin ku ish-kryetari i PTK-së Shyqri Haxha, po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme.

“Ndërhyrja e aksionarit ka qenë në kundërshtim me ligjin, ligji special ka paraparë se biznes-plani aprovohet nga bordi i drejtoreve, gjegjësisht shoqata aksionare dhe i përcjellët për qëllime informative aksionarit”, tha Ramagjiku.

Ai shtoi se personalisht ka reaguar lidhur me këtë si në bord ashtu edhe tek aksionari, pasi që sipas tij, një dispozitë e tillë është e kundërligjshme sepse prishë strukturën e shoqatës aksionare.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka njohuri se me këtë kontratë është realizuar ndonjë punë.

E pas kësaj, prokurori Bashkim Zeqaj ka ballafaquar dëshmitarin me një raport të 21 gushtit 2010, duke e pyetur të njëjtin se a e ka nënshkruar dhe çfarë ka konstatuar në të, për çka dëshmitari tha se është i nënshkruar nga ai por nuk i kujtohej se çfarë ka konstatuar.

Në pyetjen e prokurorit Zeqaj se a është njoftuar ndonjëherë aksionari se përse kërkon shkëputjen e kontratës, dëshmitari deklaroi se nga instruksioni është kuptuar vetëm se kontrata me “AMDOCS” duhet të shkëputet me pasoja sa më të vogla.

“Nga shkresa e aksionarit vetëm është kuptuar instruksioni që kompania me shkëput këtë kontratë me “AMDOCS” me pasoja sa më të vogla mirëpo në shkresë nuk ka shkruar se cili është qëllimi ose baza për një shkëputje të tillë”, shtoi Ramagjiku.

I pyetur nga i akuzuari Haxha, se a ka pasur mbledhje të jashtëzakonshme pas marrjes së letrës për shkëputje të kontratës, dëshmitari tha se ka pasur mbledhje pasi që sipas tij, kompania ka qenë në rrezik të madh.

“Ka pas mbledhje të shumta interne, ka qenë alarm i madh për neve sepse kompania është ekspozu në një rrezik të madh, rreziku ka qene operacional sepse nëse nuk do të kishim billing, nuk do të mund të konkurronim në treg, ndërsa pasojat e procedurës së arbitrazhit janë shumë të rënda në aspektin financiar, kështu që ka pas takime, është rast delikat me pasoja shumë të rënda”, tha ai.

Në fund Ramagjiku tha se për shkak të ndërhyrjeve politike është dëmtuar PTK-ja.

Tutje, në seancën e sotme në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Arben Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se në PTK në vitin 2010 ka pasur pozitën e menaxherit për operim dhe mirëmbajtje të shërbimeve të rrjetit së IT-së, duke shtuar se ka qenë i kyçur në projektin e faturimit në cilësinë e anëtarit të komisionit të zgjidhjes teknike.

-

Sipas Ahmetit, projekti i cili është objekt i akuzës ka qenë shumë i rëndësishëm.

“Ka qenë prej më të rëndësishmeve për kompaninë tonë, është dashtë të mundësoj procesimin automatik të shërbimeve të ndryshme për thirrje, internet, provizionin automatik të tyre, me një konsumator pasi që kish lidh kontratë me PTK në mënyrë automatike do të lidhej me këto shërbime”, ka thënë Ahmeti.

Në fund ai tha se kanë pasur vështirësi në mos realizimin e këtij projekti, pasi që është dashur të vazhdojnë të punojnë në shumë procese manualisht.

Ndryshe, në seancën e sotme ishte e paraparë që në cilësi të dëshmitares të dëgjohej Teuta Pula, për të cilën gjykata nuk kishte prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Lidhur më këtë avokati Smakiqi propozoi që deklarata e saj të konsiderohet e lexuar, ndërsa i njëjti deklaroi se tërhiqet nga dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, Bedri Barku.

Prokurori Zeqaj tha se e kundërshton propozimin e mbrojtjes për leximin e deklaratës së dëshmitares Pula, ndërsa nuk e kundërshton tërheqjen për dëshmitarin Barku.

Gjykatësi i vetëm i trupit gjykues, Sabit Sadikaj refuzoi kërkesën e mbrojtësit dhe konstatoi se dëshmitarja Pula do të ftohet për seancën e radhës.

Seancat e radhës për këtë çështje priten të mbahen më 19 dhe 20 dhjetor 2022.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Shyqri Haxhën se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi