Gruaja e vrarë ishte në javën e fundit të shtatzënisë, nga të shtënat vdiq edhe foshnja

Gruaja e vrarë ishte në javën e fundit të shtatzënisë, nga të shtënat vdiq edhe foshnja

Kronika November 30, 2022 - 19:54

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Një grua e moshës 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike në QKUK.

“Zeri.info”, merr vesh se 35-vjeçarja ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

“Ajo ka qenë e shtrirë në Gjinekologji, e ka pasur historinë e hapur. Edhe një javë ka pas me lindë”, ka thënë ky burim për “Zeri.info”.

Sipas të njëjtit burim, si pasojë e të shtënave me armë zjarri edhe foshnja ka ndërruar jetë.

Në anën tjetër, në media është duke u raportuar se viktima është e komunës së Lipjanit, përderisa e ndjera para se të vritej ishte takuar me ish-bashkëshortin e saj në oborrin e klinikës.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përderisa prokuroria është duke bërë hetimet e nevojshme.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë për “Zeri.info”, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës. /Zëri