
Një muaj paraburgim kosovarit, që rrahu dhe dhunoi seksualisht gruan e tij në Slloveni
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke ia caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunës në familje dhe veprën penale të dhunimit.
Sipas kërkesës, nga 15 janari 2022 deri më 02 maj 2022 në Zhalec, Republika e Sllovenisë, i pandehuri në banesën e tij shkakton dhunë në familje, respektivisht keqtrajtim fizik dhe psikologjik, ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës A. K., ndërsa më datën 02 maj 2022, në orët e mëngjesit, i pandehuri kryen akt seksual me të dëmtuarën A. K., pa pëlqimin e saj.
“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Dhuna në familje’ dhe ‘Dhunimi’, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Rasti është iniciuar në bazë të kërkesës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar nga Prokuroria e Qarkut në Celje, Republika e Sllovenisë, për transferim të procedurës në çështjen penale kundër të pandehurit L. K., nga fshati P. i Malishevës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë. /Zëri