Viktima e dhunimit në Obiliq e mitur, Prokuroria jep detaje
Policia e Kosovës sot njoftoi për një rast dhunimi që ka ndodhur në komunën e Obiliqit.
Sipas Policisë, viktima femër shtatzënë ishte pranuar në QKUK dhe se lidhur me këtë rast është arrestuar një i dyshuar.
“Është marr informata se në QKUK është pranuar viktima femër shtatzënë, ku lidhur me rastin e lartcekur me vendim të prokurorit është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.
Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë bërë të ditur, se viktima është një e mitur.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një (1) personi, i dyshuar për veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së.
Meqë rasti i takon procedurës për të mitur, nuk mund të japim detaje, derisa ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore”, ka deklaruar Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Telegrafi mëson se e mitura ka mbetur shtatzënë si rezultat i dhunimit.
Kujtojmë se kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet e dhunimeve në vendin tonë.