
Dyshohet se ndihmuan Faton Hajrizin të arratisej, nga një muaj paraburgim dy të arrestuarve
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim E.B. dhe H.Xh., të cilët dyshohet se kanë ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga Burgu i Smrekonicës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i njërit nga të dyshuarit, Lutfi Tahiri.
“Po është mbajtur sot seanca gjyqësore dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, ka thënë ai.
E.B. dhe H.Xh. dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.
I arratisuri nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi të premten.
Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnjë e Hercegovinën.