Deklarohen të pafajshëm dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës
Në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion.
Të akuzuarit Bekteshi dhe Tahiri, deklarimin rreth fajësisë e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Adem Vokshi dhe Skender Musa, qëndruan pranë fjalëve hyrëse të dhëna në gjykimin e kaluar.
Ata kërkuan nga gjykata të ftohet një ekspert i prokurimit, kërkesë kjo e cila u pranua më pas nga trupi gjykues.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku i ka njoftuar palët në procedurë se duke qenë se rasti është kthyer në rigjykim, gjithçka do nisë nga fillimi, përfshirë këtu edhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Lidhur me këtë, prokurori i rastit Bashkim Zeqaj, sugjeroi që dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më parë të konsiderohen të lexuara, në mënyrë që të vazhdohet më shpejtë me procedurën gjyqësore.
Por, trupi gjykues mori akvendim përmes të cilit bëri të ditur se do të bëhet adminsitrimi i të gjitha provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve nga fillimi, kjo në pajtueshmëri me rekomandimet e Gjykatës Supreme, si dhe do të dëgjohet eksperti i prokurimit.
Fillimisht, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.
Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku ndaj Bekteshit ishte shqiptuar dënim prej 2 vitesh burgim, kurse ndaj Tahirit 3 vite burgim, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Por, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që Tahiri të dënohet me dy vite burgim, kurse Xhelilit ia ishte vërtetuar dënimi me dy vjet burgim.
Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të akuzuarve ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
E më pas, kjo e fundit vendosi që rasti ndaj dy të akuzuarve të kthehet në rigjykim.
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
Në këtë rast, Naim Sallahu kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkon Xhelil Bekteshin se në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas Prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, si pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë.
Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.
Ndryshe, Tahiri është i akuzuar edhe në rastin e njohur si “53-milionëshi”, meqë rast është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, gjithashtu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.