
Aktakuzë personit që u kap duke kontrabanduar shtetas të Bangladeshit në Kosovë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas aktakuzës, më datë 10.12.2024, në orën 22:25 , në fshatin Vërmicë – komuna e Prizrenit – saktësisht në daljen nga autostrada ‘Ibrahim Rugova’ për në fshatin Vërmicë, merret me kontrabandim të migrantëve, në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ndalohet nga ana e policisë kufitare, i cili kishte qenë duke i bartur katër emigrantë (shtetas të Bangladeshit), për të cilët ishte pajtuar që për një shumë parash në vlerë prej 150 € (njëqind e pesëdhjetë euro) t’i dërgojë deri në Gjilan, edhe pse kishte qenë fare mirë në dijeni se të njëjtit ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri