
Policia në Prizren kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet se sulmoi të miturën
Një person dyshohet se ka sulmuar më 25.04.2025, rreth orës 09:00, të miturën me inicialet D.O. në afërsi të qendrës tregtare “Interex” në Prizren.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, kërkohet personi i cili shihet në pamjet e publikuara nga Policia.
“Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën penale ‘Sulm’. Më datë 25.04.2022, rreth orës 09:00, në afërsi të qendrës tregtare “Interex” në Prizren, një person i rritur (N/N) dyshohet se ka ngacmuar dhe sulmuar të miturën D.O. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është siguruar fotografia e të dyshuarit, mirëpo deri më tani nuk është arritur identifikimi i tij”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se me qëllim të ndriçimit të rastit, Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar autorizim, në pajtim me Nenin 76, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), për publikimin e fotografisë së të dyshuarit në mediume televizive dhe rrjete sociale.
“Kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e tij. Ftojmë të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informatë apo njohuri për vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografi, të kontaktojnë Policinë në Prizren përmes numrit 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të Policisë së Kosovës, apo në cilindo stacion policor në vend”, thuhet ndër të tjera në njoftim.