
Një thikë 13 euro dhe një gabim që i kushtoi me burg – rrëfimi i 18-vjeçarit të dënuar për tentim vrasje
RTV Dukagjini, ka sjell rrëfimin e 18-vjeçarit i cili është dënuar për tentim vrasje.
Në moshën kur shumica e të rinjve mendojnë për shkollën, sportin apo ëndrrat e së ardhmes, një 16-vjeçar nga Kosova bleu një thikë për 13 euro dhe e përdori për të therur një bashkëmoshatar.
Sot, në moshën 18-vjeçare, ai ndodhet në Institucionin Korrektues të Lipjanit në vuajtje të dënimit prej dy vitesh për tentim vrasje.
Ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2023, si pasojë e një konflikti të vogël mes vëllait të tij dhe disa të rinjve të tjerë.
Ai thotë se shoqëria e ka shtyrë të reagojë, pa menduar për pasojat.
Ishte Ramazan, dhe sapo ishte kthyer nga puna me gjyshin. E mori thikën, shkoi në vendin ku pritej dhe në momentin kur bashkëmoshatari e shtyu, humbi kontrollin dhe e goditi tre herë me thikë – në bark, mushkëri dhe gjoks.
“Vetëm një moment adrenalina më mori. Nuk kam mendu as për vdekje, as për burg. Kur e pashë gjakun, më erdhi vetëdija. I ndihmova, e thirra ambulancën”, ka rrëfyer ai.
Ai thotë se nuk e ka pasur zakon të mbajë thikë me vete, por e kishte blerë menjëherë para ngjarjes në një lokal në qendër të qytetit, pa asnjë pyetje nga shitësi. Ky fakt ngre alarmin për lehtësinë me të cilën të miturit mund të blejnë armë të ftohta.
“Lokali është i hapur, nuk të pyet kush as pse po e don. Jam kanë 16 vjet, pagova 13 euro edhe e mora. Edhe sot mundesh me shku e me ble pa problem”, ka rrëfyer ai.
Ky i ri, i cili kishte nisur përdorimin e marihuanës në moshën 14-vjeçare, thotë se ndikimi i saj, bashkë me shoqërinë e gabuar, e shtyu drejt një rrjedhe të rrezikshme. Megjithëse familja dhe madje edhe psikologët e shkollës kishin tentuar ta ndalonin, ai thotë se ndikimi më i madh vinte nga jashtë shtëpisë.
Pasi u arrestua, fillimisht iu shqiptua një dënim prej tre vitesh, por më pas Apeli ia uli në dy.
Në burg, thotë se ka marrë mësime të rëndësishme dhe është transformuar.
“Këtu kam marrë zanate, rregulla për jetë, më ka ndihmu me u ndal prej substancave. E kam kuptu gabimin. Tash i mendoj senet 2-3 herë”, ka thënë ai.
Tutje i dënuari e pranon fajin dhe i kërkon falje të miturit që e ka lënduar dhe familjes së tij.
Rrëfimi i tij është një pasqyrë e drejtpërdrejtë e një realiteti të ashpër me të cilin po përballen të rinjtë – ku mjafton një moment zemërimi dhe një objekt i mprehtë për të shkatërruar jetën e dikujt, apo të vetvetes.
“I kërkoj falje familjes së tij dhe familjes time. Kam qenë barrë për ta një vit e pesë muaj. Tash dua vetëm me punu, me i qëndru afër familjes dhe me i qëndru larg drogës e armëve”, ka thënë ai.
Ky është rrëfimi i një 18-vjeçari që thotë se është i rehabilituar dhe që planifikon një të ardhme ndryshe. Por mbi të gjitha, ky është një kujtim i dhimbshëm për atë që ndodhi kur një fjalë, një shoqëri e gabuar dhe një thikë u bënë bashkë – dhe për pak sa nuk shkaktuan një vrasje të vërtetë.