
14-vjeçari kapet me armë në Ferizaj
Një 14-vjeçar është ndaluar nga Policia e Ferizajt nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sprejit. Rasti ka ndodhur në orët e para të së shtunës.
Sipas njoftimit, Policia reagoi menjëherë pas marrjes së një informacioni se një person i mitur po mbante me vete një armë zjarri dhe një sprej. Njësia policore ka identifikuar dhe ndaluar të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte 14 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik, tek i mituri janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, i mituri është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe spreji janë konfiskuar si prova materiale.
Policia theksoi përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e armëmbajtjes pa leje, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo informacion të tillë.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Armëmbajtje pa leje dhe posedim spreji nga një i mitur në Ferizaj
Ferizaj, 19 korrik 2025
Më datë 19.07.2025, rreth orës 00:10, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se një person i dyshuar po mban me vete një armë zjarri dhe një sprej. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësia policore ka reaguar me shpejtësi dhe ka ndaluar personin e dyshuar, një i mitur 14-vjeçar.
Gjatë kontrollit, tek i mituri është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri (pa fishek) dhe një sprej.
I mituri është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj nga njësia e hetimeve. Në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kujdestar për të mitur, i mituri është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe spreji janë konfiskuar.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar për të parandaluar dhe luftuar mbajtjen e paligjshme të armëve dhe u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion të tillë ta raportojnë menjëherë në polici.
Apel për qytetarët:
Policia e Rajonale e Ferizajt u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe gjithë komunitetit që të kenë kujdes dhe të edukojnë fëmijët për të qëndruar larg armëve dhe mjeteve të rrezikshme. Çdo përfshirje e të miturve në raste të tilla paraqet rrezik serioz për jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Të kujdesemi së bashku për sigurinë e fëmijëve tanë – është përgjegjësi e të gjithëve!. /Zëri