Dileri shqiptar në arrati për më shumë se një vit, u lirua gabimisht nga burgu britanik
Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Britaninë e Madhe.
Një shtetas shqiptar, i dënuar për trafikim të drogës, ndodhet në arrati për më shumë se një vit, pasi u lirua gabimisht nga burgu.
Mediat britanike shkruajnë se i njëjti ishte dënuar për veprën e lartcekur derisa nga autoritetet u lirua në mënyrë të pavullnetshme, në gushtin e 2024-tës.
Siç raportohet, ai është njëri nga të paktën tre të burgosur që janë liruar aksidentalisht dhe që ende ndodhen në arrati.
Dy të tjerët, janë shtetas britanikë, njëri i dënuar për grabitje të rëndë dhe tjetri për mosparaqitje në polici.
Rasti është bërë publik në kohën kur sekretari britanik i Drejtësisë, David Lammy, është përballur me pyetje të shumta në Parlament, pas zbulimeve se 353 të burgosur janë liruar gabimisht midis 1 prillit 2024 dhe 31 tetorit 2025, duke përfshirë, më shumë se 90 persona të dënuar për krime seksuale ose të dhunshme.
“Sapo jam informuar se Shërbimi i Burgjeve dhe Provës po heton një rast tjetër të mundshëm të lirimit gabim më 3 nëntor, dhe personi mund të jetë ende në arrati”, deklaroi Lammy para deputetëve.
Ai pranoi se sistemi aktual, i cili ende bazohet në dokumente të shkruara me dorë dhe llogaritje manuale të datave të lirimit, është “kaotik dhe i dështuar”, duke shtuar se autoritetet shpesh nuk dinë nëse një i burgosur është liruar me vendim të ligjshëm apo gabimisht.
Derisa, një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se këto raste janë “simptomë e një sistemi të rrënuar të drejtësisë penale”, i cili ndodhet nën “presion të madh” për shkak të mbipopullimit të burgjeve.
Lammy kërkoi falje publike për viktimat dhe familjet e tyre, duke përmendur rastin e një vajze 14-vjeçare që ishte sulmuar seksualisht nga një azilant me origjinë nga Etiopia, Hadush Kebatu, i cili gjithashtu ishte liruar gabimisht dhe më pas u arrestua e deportua në vendlindje.
Për të shmangur përsëritjen e këtyre rasteve, Lammy njoftoi investim prej 10 milionë eurosh për të digjitalizuar sistemin e lirimit të të burgosurve, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) për të zëvendësuar proceset me dokumente fizike dhe për të përmirësuar kontrollin mbi urdhër-arrestet dhe të dënuarit.