Dëmtimi i varrit të Astrit Deharit, policia thotë se rasti po hetohet
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar mbrëmë se shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar, të vendosura pranë varrit të aktivistit Astrit Dehari, janë dëmtuar.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar raport rreth këtij rasti.
Sipas njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e para.
“Raportohet se është dëmtuar një varr. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore”, thuhet në raportin ditor të Policisë së Kosovës.
Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë mbi motivet, autorët e mundshëm apo shkallën e dëmtimit, ndërsa ka bërë të ditur se hetimet janë në fazë të zhvillimit.
Ndërkaq LVV-ja tha se pret nga organet kompetente që rasti të trajtohet me prioritet dhe të sqarohen rrethanat e dëmtimit.
“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në reagim.