I kërkuar nga Finlanda për trafikim droge, arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në Morinë
Foto: Laura Hasani

I kërkuar nga Finlanda për trafikim droge, arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në Morinë

Kronika December 08, 2025 - 10:17

Një 40-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze, është arrestuar nga policia shqiptare në pikën kufitare të Morinës në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, identifikuan dhe ndaluan shtetasin Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë. Gjatë verifikimeve, u konfirmua se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Prokuroria e Distriktit Jugor të Helsinkit, në Finlandë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

“I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të RSH-së, 40-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSH-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar: Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë. Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Distriktit Jugor Helsinki ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’. INTERPOL Tirana vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit në Finlandë”, thuhet në njoftim.