Seanca e radhës në rastin “Banjska”, më 16 janar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska” do të mbahet më 16 janar 2026, ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht.
Kështu ka konfirmuar për zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca pritet të fillojë në orën 09:30.
“Ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve B.S., V.T. dhe D.M. do të mbahet sipas planifikimit, me datë 16.01.2026, në orën 09:30”, tha Gashi.
Ndryshe, seanca gjyqësore mbahet ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiçiq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Ata janë në kërkim të INTERPOL-it e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.