Kërkohet paraburgim për dy shtetas palestinezë në Ferizaj, dyshohen për falsifikim parash

Kërkohet paraburgim për dy shtetas palestinezë në Ferizaj, dyshohen për falsifikim parash

Kronika February 10, 2026 - 10:22

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, M.O. dhe Z.N., shtetas palestinezë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i parasë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 6 shkurt 2026, rreth orës 19:30, në pikën e derivateve “Ballkan Petrol” në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, i pandehuri M.O., me vetëdije dhe me qëllim, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara si të vërteta, duke kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” , transmeton Zeri.info.

Po ashtu, Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se më 7 shkurt 2026, në rrugën “Skënderbeu” në Kaçanik, të pandehurit M.O. dhe Z.N., në bashkëkryerje, kanë poseduar para të falsifikuara me qëllim të vënies së tyre në qarkullim si të vërteta. Gjatë kontrollit të banesës nga ana e policisë, janë gjetur dhe sekuestruar 39 bankënota prej 50 dollarësh amerikanë, në vlerë totale prej 19.500 dollarë, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të dy të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë” nga Neni 296 paragrafi 2, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së (bashkëkryerja).

Aktualisht, të pandehurit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim. /Zëri