Aksion i madh kundër narkotikëve në Kosovë, përfshihen edhe përfaqësues të EUROPOL-it
Policia e Kosovës, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në disa lokacione të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe përfshin hetime për disa vepra penale, duke përfshirë “Pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar”, “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”, si dhe “Pastrimin e parave”.
Në operacion po marrin pjesë edhe përfaqësues të EUROPOL-it, si dhe autoritete nga Belgjika, Franca dhe Holanda, duke e shndërruar aksionin në një operacion të koordinuar ndërkombëtar kundër rrjeteve të dyshuara kriminale.
“Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar me substanca narkotike në lidhje me veprat penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’ dhe ‘Pastrimi i parave’”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se pas përfundimit të operacionit, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do të dalin me një komunikatë të përbashkët për të informuar publikun mbi rezultatet e aksionit dhe masat e ndërmarra.