Shullazi dhe miqtë e tij në pranga, kanosnin biznesmenët për t'i marrë para

Shullazi dhe miqtë e tij në pranga, kanosnin biznesmenët për t'i marrë para

Kronika prill 17, 2016 - 12:23

Policia e Tiranës ka zbardhur arsyet e vënies në pranga të Emiljano Shullazit dhe dy miqve të tij Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani, rreth orës 01:30 pas mesnate.

Ndaj tyre, prokuroria për Krimet e Rënda kishte lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, një formë kanosje kjo për të përfituar para nga biznezmenë të ndryshëm.

Emiljano Shullazi, person me precedentë të shumë penalë, akuzohet nga policia se në bashkëpunim me shokët e tij, por edhe me persona të tjerë emrat e të cilëve policia nuk i bën të ditur, kanë kërcënuar në kohë dhe qytete të ndryshme, disa biznesmenë me qëllim për t’i marrë atyre pasurinë.

"Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, për tre shtetasit e sipërpërmendur, ka regjistruar një sërë procedimesh penale për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", "Shkatërrim i pronës me eksploziv", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Grup i strukturuar kriminal", - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.

Akuza më e fundit ndaj grupit të Shullazit, është ajo e vendosjes së tritolit ndaj një personi me inicialet A.Z, me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë, shkruan Express.

Një ditë më parë ishte ish-kryeministri Sali Berisha i cili gjatë një konference për mediat, bëri të ditur se Emiljano Shullazi ka kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Konin që të tërhiqej nga gara, në të kundërt do t’i merrte peng fëmijët.

Por në njoftimin e policisë, nuk specifikohet nëse shoqërimi i Shullazit është bërë edhe për këtë akuzë publike nga deputeti demokrat.

Të arrestuarit

Emiljano Shullazi 38 vjeç banues në Tiranë

Gilmando Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë

Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë