“Martesa” merr vëmendjen e 'The Playlist'

Kultura December 08, 2018 - 15:17
Lajmet e fundit nga kultura

Filmi “Martesa” i regjisores kosovare Blerta Zeqiri ka marrë vëmendjen edhe të uebsajtit të famshëm të filmit dhe televizionit “The Playlist”. Në këtë faqe së fundi është publikuar një kritikë për filmin e Zeqirit, shkruar nga kritiku Kevin Jagernauth, shkruan gazeta "Zëri".

Ky i fundit, filmin e Zeqirit që trajton një trekëndësh dashurie ku përfshihet edhe komuniteti LGBT, thotë “Martesa” shkon përtej problemeve të komunitetit LGBT në Kosovë.

“Rënia në dashuri është një rrezik, kur merret parasysh se dashuria kërkon guxim, por gjetja e lirisë për të shprehur atë mund të jetë e vështirë kur e keni kaluar jetën tuaj duke u fshehur. "Martesa" e Blerta Zeqirit - e përzgjedhur nga Kosova propozim zyrtar për Oscar këtë vit - mund të tregtohet si një ‘Dramë e dashurisë LGBT’ por kjo është një reduktim mashtrues i kësaj drame komplekse. Të mbushur me një atmosferë humbjeje dhe dëshira të zjarrta që janë përmbushur aq shpejt sa ato janë zhdukur me dhimbje, ‘Martesa’ është një tragjedi në lëvizje të ngadaltë, pasi tri jetë janë të përhumbur nga një e kaluar që nuk mund të ndryshohet dhe një e ardhmja që komprometohet në mënyrë të pandërprerë”, shkruan “The Playlist”.

Për t’i jetësuar personazhet e saj regjisorja Blerta Zeqiri ka zgjedhur disa nga emrat më të dëshmuar të skenës. Publiku është i familjarizuar me aktoren Adriana Matoshi, një nga aktoret më të mira kosovare dhe me Alban Ukajn, të vlerësuar lart gjithashtu, por muzikanti Genc Salihu që vjen në rolin e Nolit pa dyshim se ishte një befasi e mirë.

Tutje shkrimi i “The Playlist” sqaron se paraqitja e Genc Salihut në rolin e Nolit në film, si një artist i pashëm e i suksesshëm në Francë, që prezantohet si shok i Bekimit, rolin e të cilit e luan nga Alban Ukaj, nuk zgjat shumë sepse vërehet se historia midis tyre shkon shumë më thellë.

‘“Martesa” i përfshinë të dyja, rrëfimin dhe sensitivitetin. Është e ditur që guximi nuk është gjithmonë  shkak i bindjes, as dashurisë për një ndjesi që thjesht mund të ndiqet, por dëshirë e fjarrtë që ndizet dhe ndriqon fuqishëm edhe përmes qejfit të përhumbur të së kaluarës”, thekson Jagernauth.

Kevin Jagernauth shkruan se regjisorja Blerta Zeqiri dhe skenaristi Kreshnik Berisha, me kujdes lundrojnë në detaje të tregimit që shumë lehtë mund të kalojnë në klishe. Në këtë shkrim përmenden edhe detaje nga lufta e fundit në Kosovë si dhe problemet para saj, siç janë prindërit e zhdukur të Anitës në luftë, apo fakti që Noli e Bekimi i kanë shpëtuar detyrimit ushtarak të ish-Jugosllavisë, gjë që ka ndikuar në përafrimin e tyre.

“Zeqiri dhe Berisha janë më të shqetësuar për forcat shoqërore që kanë futur përgjithmonë një pykë midis Bekimit dhe Nolit. Martesa e Nolit me Anitën shihet si balsam në mjegullën e pasluftës në Kosovë, ku situata është po aq ftohtë sa edhe muajt e dimrit kur është vendosur shumica e filmit. Ekziston gjithashtu përhapja e përgjithshme e homofobisë në shoqërinë kosovare, një faktor që shtyn më tej Bekimin, gjysmën e lëkundur të çiftit, për të mbajtur marrëdhënien e tij të ndaluara nën mbulesa, ndërsa Noli pas një jetë në Francën shumë më tolerante”, theksohet në shkrimin e “The Playlist”.

Rikujtojmë se “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat, Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën, por në anën tjetër shfaqet edhe Noli (Genc Salihu), me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë.

Filmi “Martesa” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është prodhim i kompanisë “Beze” me producent Keka Kreshnik Berisha. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkrah edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë.

Filmi “Martesa” u shfaq për një javë në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë gjatë muajit shkurt e edhe në rrjetin e kësaj kinemaje austriake në Tiranë. /ZERI

Image