TKK-ja hap dyert për shfaqjen 'Destur ~ Blasfemi e Ëmbël'

Kultura December 10, 2018 - 10:06
Image

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 17 dhjetor do të vihet historia e poetit të famshëm Rumi. Regjisorja dhe dramaturgia Zana Hoxha-Krasniqi po përgatit shfaqjen “Destur ~ Blasfemi e Ëmbël”, duke kombinuar tekstin “Destur”, i shkruar nga Musa Ramadani dhe “Blasfemi e Ëmbël” nga Elif Shafak. Duke i bashkuar këto tekste ajo do të risjellë ngjarjen që ndodh në shekullin e 13-të dhe trajton interpretimet e ndryshme të fesë dhe dashurisë dhe konfliktet që ngrihen mes intelektit akademik e mençurisë së pastër, shkruan sot gazeta "Zëri".

Regjisorja Hoxha për gazetën “Zëri” ka treguar se si janë duke shkuar përgatitjet dhe sa është e kënaqur me punën e deritanishme. Hoxha tregon historinë e shfaqjes, duke thënë se teksti i shfaqjes edhe drama, por edhe pjesa që e ka përdorur nga Elif Shafak është marrë nga libri “40 rregullat e dashurisë”. Këto pjesë e trajtojnë historinë e Rumit dhe Shemsit, dy dijetarë sofistë të cilët kanë bërë jetë të ndryshme, mirëpo në takimin e tyre jeta e të dyve dyshon të plotësohet me më shumë dashuri dhe me shumë paragjykime, konflikte dhe me një kahje tjetër nga ajo që dashuria frymëzon. “Për mua ka qenë e natyrshme që këto dy tekste që unë i kam lexuar në kohë të ndryshme t’i bëj bashkë, sepse kam menduar që e plotësojnë shumë mirë njëra-tjetrën. Me ftesën e para dy vjetëve nga Teatrit Kombëtar që të realizoj një shfaqje aty unë mendova që pikërisht do të krijoj një shfaqje e cila do të ishte unike në trajtimin e këtyre dy personazheve prej dy këndvështrimeve të cilat nuk e luftojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën”, është shprehur regjisorja Hoxha.

Regjisorja bën të ditur se nuk kanë pasur mundësi të punojnë në skenën e madhe të teatrit më herët për shkak të angazhimeve të fundit në teatër dhe se kanë pasur 9 ditë kohë në dispozicion. “Po supozoj që aktorët më në fund e kanë parë se personazhet të cilat janë krijuar dhe janë analizuar prej procesit të fillimit deri në skenën e finalizimit kanë nevojë që t’i lejojmë të jetojnë në skenën e madhe”, tha ajo. Më tutje Hoxha shprehet e kënaqur se si kanë shkuar deri tani përgatitjet e shfaqjes dhe thotë se 13 aktorët e trupës e kanë mirëpritur dhe kanë pasur vullnet, dëshirë dhe angazhim maksimal. Ajo thotë se përveç dy roleve kryesore edhe personazhet tjera që jetësohen në këtë shfaqje kanë nga një vlerë dhe është interesant se të gjithë personazhet kanë nga një këndvështrim unik, me një vlerë të shtuar. “Kemi dy role kryesore, gjithë të tjerët bashkë me mua kanë gjetur në këtë proces diçka që i bën unikë dhe të pashmangshëm. Nuk ka personazhe të panevojshme në shfaqje”, ka treguar Hoxha. Regjisorja thekson se puna me aktorët për të ka qenë sfiduese e që për dallim prej herëve tjera i ka marrë shumë kohë ndarja e roleve. “Çfarëdo rezultati që del me shfaqjen unë jap përgjegjësinë e plotë, që kanë qenë zgjedhjet e mia dhe janë të duhura”, ka shtuar regjisorja për “Zërin”.

Hoxha e cilësoi si unike shfaqjen, duke thënë se përcjell mesazhe universale të dashurisë, harmonisë e solidaritetit. “Mënyra e trajtimit e ka një estetikë të ndjeshme, e cila të fton që të jesh pjesë e një magjie, një historie në skenë. Një shfaqje që ka momente në të cilat dëshirojmë t’i inspirojmë njerëzit për jetën e tyre dhe për atë se çka i bën të lumtur, duke reflektuar për ëndrrat, dëshirat, synimet që i kanë për t’u bërë njerëz më të mirë”, është shprehur regjisorja Hoxha, duke thënë se është koha të inspirohemi në teatër dhe jo të mbushemi mllef edhe më shumë. Duke kërkuar nga audienca që t’i lëshojmë gjërat të cilat na bëjnë më tepër tokësorë, të gjejmë një prehje shpirtërore, të cilën do ta ofrojë shfaqja.

Regjisorja e dramaturgia tregon pak prej asaj që do të shihet në premierën e shfaqjes. Ajo thotë se pavarësisht që ngjarja ndodh në një shekull tjetër, në kostume të kohërave më të lashta, teksti komunikon me nevojat e sotshme. “Shpresoj që njerëzit të harrojnë ngarkesat e tyre duke iu dorëzuar teatrit dhe fuqisë së tij”, thekson Hoxha. Kurse sa u përket vështirësive në këtë projekt, Zana Krasniqi-Hoxha thotë se u nda mjaft e kënaqur me Teatrin Kombëtar në krahasim me punën që ka bërë në teatrot e tjera. “Shfaqja ka pasur një këmbë të mbarë. Të gjitha gjërat kanë shkuar në kohën e vet dhe në vendin e duhur. Nuk kemi pasur vështirësi të patejkalueshme. Ka pasur një ditë mungesë të ngrohjes, e cila shumë shpejt është rregulluar. Kurse skenografia dhe kostumet janë gati sipas planit”, përfundoi kështu ajo.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Çun Lajçi, Shkëlzen Veseli, Armend Smajli, Edlir Gashi, Anisa Ismajli, Majlinda Kosumovic, Semira Latifi, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj dhe Selman Jusufi. Zëri