Libri i javës - 'Secili çmendet simbas mënyrës së vet' nga Stefan Çapaliku

Kultura December 10, 2018 - 10:09

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, të shkrimtarit  shkodran Stefan Çapaliku. Ky roman ka dy vëllime me të njëjtin titull.

Vëllimi i parë i shtjellon ngjarjet në qytetin e Shkodrës, aty ku autori ka kaluar fëmijërinë e vet, duke shënuar kështu kontributin e tretë të rëndësishëm mbi qytetin. Te pjesa e parë e  librit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” janë dy ngjarje kulmore të Shqipërisë komuniste që i japin kthesat e romanit. E para është shpallja e Shqipërisë shtet komunist në vitin 1967 dhe e dyta vdekja e Enver Hoxhës në prill të vitit 1985, që ishte personi i cili e shpalli Shqipërinë shtet komunist. Pjesa e parë e romanit është e ndarë në tri pjesë e ato janë: “Para”, “Gjatë” dhe “Mbas”. Ndërsa romani i dytë i ciklit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i vendos ngjarjet jo vetëm në Shkodër, por veçanërisht në Tiranë, si dhe në Tropojë e në jug të Shqipërisë. Ato nisin në prill të vitit 1985 dhe mbarojnë në fund të vitit 1990. Njësojë si pjesa e parë edhe pjesa e dytë e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është i ndarë në tri pjesë: “Fundi i tunelit dukej i errët dhe i pafund”, “Midis të metave kemi edhe dobësi” dhe pjesa e tretë “Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri”. Të dyja këto romane mund të cilësohen si rrëfime të thjeshta të një epoke të komplikuar për qytetarin e thjeshtë shqiptar. Kur flasim për kohën, këto romane shtrihen në tri dekada dhe në hapësirën shqiptare mes Shkodrës e Tiranës.

Shkrimtari Stefan Çapaliku u lind në Shkodër, në vitin 1965. Ai ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitin 1988, kurse më 1995 përfundoi doktoratën. Ky shkrimtar është nderuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Disa nga veprat e tij gjenden edhe në disa gjuhë evropiane. Kohët e fundit kontributet e Stefan Çapalikut janë shtrirë edhe në regjinë skenike e filmike. Zëri