Pikturat e të mbijetuarave të dhunës seksuale dalin në shitje

Kultura December 12, 2018 - 12:43

 

Image

Në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës të martën u rihap ekspozita “Ngjyrat e shpirtit tonë”, koleksion ky i plotësuar nga ekspozita e mëhershme e realizuar javë më parë në ambientet e Lapidariumit të Muzeut.  Organizatorët thonë së në bazë të përgjigjes që kanë marrë nga ajo ekspozitë është vendosur që të rihapet dhe ka karakter shitës, ku të hyrat shkojnë tek autoret e veprave, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rozafa Kelmendi, nga radhët e “UN Women”, ka thënë për gazetën “Zëri” se ekspozita e parë ka prezantuar rreth 30 piktura, të cilat janë punuar gjatë punëtorive dhe në momentin që u janë ofruar materiale të mbijetuarat kanë sjellë edhe 30 piktura të reja, të cilat janë pjesë e ekspozitës. Kelmendi ka thënë se për dallim nga ekspozita e parë kanë arritur që t’i ulin çmimet e pikturave. “Kemi përmbledhur një koleksion të ri, nëse mund ta quajmë, dhe njëkohësisht në bazë të komenteve që kemi marrë herën e kaluar çmimet i kemi bërë më të ulëta që të kemi më shumë shitje për një javë sa e kemi në dispozicion. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 dhjetor”, ka theksuar organizatorja Kelmendi.

Rozafa shprehet se këto piktura janë në njëfarë forme të një lloj optimizmi nëse kemi parasysh se nga kush janë punuar. Sipas kësaj, cilado pikturë prej kësaj ekspozite është shumë e përshtatshme për t’ia bërë dhuratë për Vit të Ri dikujt sepse janë piktura që i kushtohen jetës, harmonisë dhe dashurisë e po ashtu i kontribuojnë një kauze shumë të rëndësishme. Kelmendi thotë se janë ndarë mjaft të kënaqura sa i përket suksesit të organizimit. “Ka pasur shumë sukses organizimi i mëparshëm. Për një kohë të shkurtër sa është mbajtur ekspozita kemi shitur 8 piktura për 6 orë. E konsiderojmë si sukses dhe është mjaft e rëndësishme për ne dhe për kauzën që po përkrahim”, është shprehur organizatorja. Ajo tregon se publiku ka pasur shumë vëmendje mediatike, ka ngjallur shumë diskutime dhe shpreson që e ky fakt e ka bërë shoqërinë të reflektojë për këto përkufizime. “Për vetë faktin që autoret e pikturave nuk kanë qenë të pranishme në ceremoni na lë ta kuptojmë botën e tyre se sa janë të limituara të mbijetuarat e luftës dhe sa janë të lënduara në jetën e tyre”, ka shtuar ndër të tjerash Kelmendi.

Organizatorët shpresojnë se ky diskutim do të vazhdojë edhe më tej pas ekspozitës sepse ky ka qenë qëllimi parësor, kurse qëllimi dytësor ka qenë të tregohet që të mbijetuarat janë faktorë në shoqëri dhe të gjitha këto u janë pamundësuar për shkak të rrethanave. Kelmendi thekson se kanë pasur shumë kërkesa prej publikut duke shfaqur interesim për blerjen e pikturave dhe besohet që kjo përkrahje do të rikthehet edhe në këtë ekspozitë. “Gjithmonë kur ndërmerret ndonjë aktivitet pret diçka pozitive dhe me atë fillon edhe të punosh, por në fakt reagimi i ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe mënyra se si ato e kanë përshkruar punën e realizimit të pikturave ka qenë shumë i veçantë”, ka cilësuar Kelmendi.

Ndër të tjerash Kelmendi rikujtoi dhe punën që e kanë bërë të mbijetuarat e dhunës seksuale. Ajo cilëson se kjo punë për ato ka qenë çlodhëse dhe ka ndikuar pozitivisht në qetësinë e tyre mendore, sepse faktikisht u mungon edhe përkrahja psiko-sociale, trajtimet e traumës së tyre dhe ato e kanë parë artin si përgjigje për to, duke shpresuar në nisma të tjera që do të replikojnë këtë shembull. “ Përveç këtij efekti qetësues dhe ndjenjave pozitive që kanë sjellë tek ato, kanë sjellë edhe një rezultat bukur estetik, prej të cilit mund të përfitojnë edhe vizitorët e kësaj ekspozite. Ata mund të marrin një pjesë të bukur arti për ta vendosur në shtëpitë e tyre për t’i dalë në mbrojtje çështjes të mbijetuarave”, ka shtuar Kelmendi.

Kelmendi për audiencën ka rrëfyer edhe historinë e disa prej pikturave, ku thotë se secila e ka historinë e vet. Kurse estetikisht publiku mund të shohë pëllumbin - simbolin e paqes, natyrën, ngjyrën e kaltër e dashurinë që reflektojnë paqen shpirtërore.

Njëra prej pikturave kishte të vizatuar një çift në një hapësirë të verdhë, pranë një peme që ishte e ngjyrosur me ngjyrë të errët e po ashtu edhe trupat e çiftit ishin të errëta. Nga pema lulëzonin shumë zemra të kuqe, ngase bashkëshorti mbronte fshehtësinë e gruas së tij të dhunuar dhe i dhuronte dashuri të pafund.

Rikujtojmë se kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, me galerinë “Monet”, “Medica Gjakova”, “Medica Kosova”, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës dhe Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave. Zëri