Një dekadë me Shpat Dedën

Kultura January 01, 2019 - 09:25
Detajet
Image

Me këngën “Ëndërroj”, të prezantuar në “Top Fest”-in e vitit 2008, kantautori Shpat Deda nisi të bëhej i njohur për publikun kosovar. Në këtë dhjetëvjetësh që pasoi Deda arriti të bëhej një nga muzikantët më të kërkuar të skenës së muzikës alternative shqiptare, së cilës i takon. Në këtë përvjetor të rëndësishëm të karrierës së tij ai rrëfen për gazetën “Zëri” se si nisi dhe u rrit ëndrra e tij muzikore, shkruan gazeta "Zëri".

Nga bendi i kohës së studimeve në Bulgari e deri te kënga “Ëndërroj”

Jo shumë përcjellës të muzikës së Shpat Dedës sot e dinë që para se të bëhej aktiv në skenën tonë ai kishte një bend muzikor në Bulgari, në kohën sa studionte atje për Marketing në një nga universitetet më prestigjioze të vendit. Siç tregon Shpati, me grupin që quhej “Quiet Hours”, ai i hodhi hapat e tij të parë muzikor nëpër ndejat studentore. “Ne e kemi pasur një cover-band. Në atë kohë sa isha student fillova të shkruaj këngë, por nuk kam pasur ndonjë plan konkret se çfarë do të bëj me ato këngë. Më shumë së gjysmën e këngëve të albumit tim të parë, që titullohet ‘Molla e parë’, i kam shkruar në atë kohë”, bën të ditur Deda.

Grupi “Quiet Hours” ishte një grup shumetnik, i përbërë nga dy bullgarë, një serb, një shqiptar dhe një amerikan. “Kam qenë vokalist dhe kitarist. Grupi tashmë ishte i themeluar dhe patën bërë një audicion për këngëtar dhe unë shkova në audicion e u bëra pjesë e bendit. Ne bënim muzikë nëpër klube dhe ndeja të studentëve. Madje një herë kemi bërë muzikë edhe në Prishtinë”, kujton Shpati.

LEXO EDHE: Ambasadori gjerman: Tri gjëra që do t’i ndryshoja me shkopin magjik në Kosovë

Deda përmend se paraqitja e tij e parë televizive ishte në “Top Select” të televizionit “Top Chanel” të Shqipërisë, ku kishte prezantuar disa nga këngët e para. I inkurajuar nga muzikanti Bojken Lako dhe nga miqtë e tjerë vendosi ta punojë këngën “Ëndërroj” dhe të konkurrojë në festivalin “Top Fest”. “Kam bashkëpunuar me Genc Salihun, i cili është edhe producent i albumit të parë. Kështu vendosa që të konkurroj në ‘Top-Fest’ me këngën ‘Ëndërroj’. Aty pata fituar çmimin ‘Best New Artist’ dhe kënga nisi të bëhej hit dhe vendosa ta bëj edhe videon, që u publikua në gusht të atij viti”, tregon muzikanti Deda.

Duke u kthyer në retrospektivë, Deda thotë së “Ëndërroj” solli ndryshime në jetën e tij, duke marrë parasysh edhe fazën jetësore në të cilën ndodhej si i ri dhe i sapodiplomuar. “Gjatë asaj kohe jetoja në Bulgari ku studioja. Vija në vizita në Kosovë, por shumicën e kohës isha larg. Ky ishte një ndryshim në jetën time, plus pikërisht në atë kohë kënga u bë hit dhe njerëzit filluan të më njihnin. Kur mbarova studimet dhe u ktheva ishte pak e çuditshme sepse po kaloja një fazë ku duhet ta rigjeja veten në vendin tim, në të cilin isha kthyer pas 4 vjetësh, por shumë shpejt u ambientova me këto ndryshme”, tregon ai.

Me një videoklip të thjeshtë, i xhiruar me një kuadër, ku shihet një vajzë duke ecur në sheshin e Prishtinës dhe ai duke kënduar me kitarë, një tekst i cili flet për një dashuri të ëndërruar kënga “Ëndërroj” ia hapi Shpatit shumë dyer.

Prej “Mollës së parë” deri te “Shkëndija”

Përderisa këngët që i ka në kuadër të albumit të parë, të titulluar “Molla e parë”, i ka shkruar në kohën e studimeve, pa ndonjë synim të qartë, te këngët e albumit të dytë, i cili quhet “Shkëndijë”, Shpati reflekton një pjekuri artistike. “Këngët e para i kam shkruar pa e ditur qartë se çka do të bëja me to. Në ato këngë kam qenë i shumë i sinqertë, sepse s’kam menduar që do t’i publikoj ndonjëherë. Pastaj pas i publikova, ajo më është bërë standard. Pra, unë shkruaj ashtu siç më vjen, në mënyrë të sinqertë dhe vetëm ashtu. Në albumin e dytë e kam ditur më saktë së çka dua të bëj. Kam vendosur të bashkëpunoj më Armend Xhaferin dhe kam qenë i përfshirë në tërë procesin e punimit të tij. E vërej se me kalimin e kohës po evoluoj edhe në mënyrën se si kompozoj dhe se si e bëj muzikën time”, thotë Shpati.

Albumin e tij “Shkëndijë” ai e pati vënë në dispozicion të të gjithë muzikëdashësve në uebfaqen e tij online për t’u shkarkuar falas. Këtë ai e konsideron si një veprim strategjik të shpërndarjes, duke marrë parasysh se për tipin e muzikës që ai kultivon nuk ekziston një rrjet i mirëfilltë i shpërndarjes së CD-ve. Sipas tij, mënyra online dhe falas bëri që albumi i tij të jetë më shpejt dhe më lehtë afër njerëzve që duan ta dëgjojnë.

Ka disa gjëra që e karakterizojnë karrierën e tij dhe dy nga to janë - raporti shpirtëror që Deda ka me muzikën dhe që reflektohet në të gjitha këngët e tij, si dhe mosdorëzimi i tij ndaj “komercializimit” të skenës muzikore. “E kam ruajtur ende entuziazmin që e kam pasur që nga fillimet e para. Mendoj që kam arritur ta ruaj raportin tim shpirtëror me muzikën që e kam pasur nga fillimi. Unë nuk kam lejuar që muzika të më bëhet punë, sepse vazhdimisht kam punuar edhe në profesionin për të cilin kam diplomuar, pra në fushën e marketingut”, thotë Shpati.

Kjo sipas tij ka qenë njëfarë çelësi i suksesit, sepse ia ka dhënë mundësinë të kultivojë muzikën që ai ka dashur ta kultivojë, pa bërë kompromise. “Kam bërë këngë të cilat ndihem rahat t’i këndoj. Edhe sot këngët që i kam kënduar para 10 vjetësh mendoj që e kanë njëfarë freskie dhe lidhen me faza të caktuara të jetës sime”, thotë ai.

Gjatë rrugëtimit të tij Shpati ka bashkëpunuar me shumë muzikantë. Që në fillim në këngët e tij dëgjohet gjithmonë loja në tupanë e Nesim Maxhunit. Shumë shpesh aty është edhe Armend Xhaferi, Ilir Bajri, e edhe muzikantë të tjerë. Deda u është falënderues secilit që e ka përcjellë që nga fillimi e deri më tani. “Me Nesim Maxhunin kam bashkëpunim prej fillimit. Nesimi i bie tupanëve në krejt këngët e mia dhe në çdo paraqitje live. Albumin e dytë ‘Shkëndijë’, por edhe më herët qe një kohë jam duke bashkëpunuar me Armend Xhaferin. Ai është edhe producent i albumit ‘Shkëndijë’. Edhe me pianistin Ilir Bajri bashkëpunoj që nga fillimi. Në fillim kam punuar edhe me Genc Salihun, Visar Kuçin, Fatjon Miftarin, Art Lokajn, Dritëro Nikqin e të tjerë. Jam i lumtur që kam pasur rast të bashkëpunoj me të gjithë”, thotë Shpati.

I pyetur për artistët që i ka dëgjuar më së shumti dhe që mendon se kanë influencuar në të ai thotë se gjatë jetës së tij ka dëgjuar shumë muzikantë si: Nick Drake, John Backley, Stevie Wonder, Michael Jackson, por jo vetëm këta.

Sa u përket teksteve të veta, që gjithmonë karakterizohen nga një gjuhë e thjeshtë, Shpati thotë se zgjedh të shkruajë kështu sepse dëshiron që me thjeshtësi të jetë afër atyre që e dëgjojnë. “Procesin e shkrimit e kam si nevojë. Çelësi është që kur të vjen frymëzimi të shkruash, ta shkruash menjëherë aty për aty. Në vend se të përdor shumë metafora të thella, me qëllim kam qejf të përdori gjuhë më të thjeshtë, më të qartë sepse për mua më e rëndësishme është të përçoj emocionin përmes asaj gjuhe që mundet ta marrë vesh secili. Pra gjithmonë jam munduar të komunikoj sa më lehtë me dëgjuesit e muzikës sime”, thekson ai.

Deda, që të gjitha tekstet i shkruan vetë, thotë se përpiqet të fokusohet më së shumti në emocionet që përjetimet e caktuara e bëjnë të ndihej. “Mendoj që esenca është të bazohesh në emocion e jo në histori, sepse kur bazohesh në emocion njerëzit e tjerë që kanë histori të tjera por të njëjtin emocion ndërlidhen me ty”, konsideron Shpati.

Dhjetë vjet “Ambël e Thartë”

Me një turne nëpër Shqipëri, të cilin e ka titulluar “Ambël e Thartë”, Shpat Deda vendosi të shënojë këtë 10-vjetor të karrierës së tij. I pyetur se pse e emëroi pikërisht me këtë titull, të cilin ia ka vënë edhe njërës nga këngët e veta, Deda thotë se pikërisht kështu “ëmbël e thartë” kanë qenë për të edhe këto dhjetë vjet.  “E kam titulluar ‘Ambël e Thartë’ sepse ka qenë turne për dhjetëvjetor dhe në fakt këto dhjetë vjet kanë qenë vërtet ëmbël e thartë. Jam duke u mësuar t’i shijoj të dyja dhe më është dukur se ky është emër që i ka përmbledhur këto vite, por edhe faktorët që më ka dhënë inspirim përgjatë këtyre viteve”, shpjegon Deda. Koncertet e turneut “Ambël e Thartë” u mbajtën në muajin tetor dhe nisën nga kryeqendra, Tirana, për të vazhduar në Fier, në Vlorë, në Gjirokastër, në Korçë, në Durrës e në Elbasan. Për Shpatin koncerti i mbajtur në Tiranë mbetet në kujtesën e vet si një nga koncertet më të veçanta të karrierës, për shumë arsye.  “Për mua është special sepse para dhjetë vjetëve e kemi realizuar një quintet live dhe ai grup që bën muzikë në atë koncert, Arben Xhaferi, Nesim Maxhuni, Ilir Bajri dhe Visar Kuçi, është grup shumë i veçantë për mua. E për koncertin në Tiranë të gjithë ne u bëmë prapë bashkë, përveç Visarit që ishte i zënë. Në vend të tij me neve erdhi Fatlind Ferati, një muzikant i ri që më pëlqen shumë, si dhe pjesa tjetër e ekipit dhe jam shumë i lumtur se qysh doli ajo performancë”, tregon Shpati.

Ai u shpreh falënderues ndaj Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, ndaj Bashkisë së Tiranës dhe ndaj të gjithëve që e ndihmuan që ky turne të realizohet me sukses. “Në Tiranë ekziston njëfarë dëshire më e madhe se tek ne për të realizuar koncerte e ngjarje kulturore. Unë kam pasur përkrahje të plotë edhe nga kryetari i Tiranës Erion Veliaj, si dhe nga ministrja e Kulturës në Shqipëri Mirela Kumbaro. Në fakt atje ka edhe infrastrukturë më të mirë për të bërë koncerte. Nuk jam unë i vetmi që kam zgjedhur të bëj një koncert më të madh në Tiranë. Për mua ka qenë më e lehtë të gjëja përkrahje atje. Unë i falënderoj shumë që të dy për përkrahjen", tha Deda, duke shtuar se po provon që të mbajë disa koncerte të ngjashme edhe nëpër Kosovë.

Pas dy albumeve të suksesshme, Deda tashmë e ka vizionin e tij për një album të tretë. Siç bën të ditur ai janë shtatë-tetë këngë, të cilat pret t’i finalizojë dhe t’i prezantojë së shpejti para adhuruesve të muzikës së tij.

Viteve të fundit Shpati e ka provuar veten edhe në fushën e produksionit të filmit. Ai është bashkëproducent i filmit “Home”, të regjisorit Daniel Mulloy, i cili fitoi çmimin prestigjioz “Bafta”. Për gazetën “Zëri” Deda tregoi se në të ardhmen ka plane që të angazhohet edhe më tepër në këtë fushë. Ai shpalosi se aktualisht janë duke filluar edhe një projekt filmik të ri me regjisorin Mulloy./ZERI