Ndizet “Flakadani i Janarit” në Gjilan

Kultura January 12, 2019 - 09:13
Lexo tjera detaje
Image

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nisur të premten manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili po mbahet për herë të 28-të në nderim të dëshmorëve, të heronjve e të martirëve të rënë për lirinë e Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Dita e parë e “Flakës së Janarit” nisi me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe te lapidarët e shtatoret në qytet për të vazhduar me një vizitë në Kazermën e FSK-së në Gjilan. Ky është edicioni i 28-të, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që u kushtohet të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për liri. Kryetari Haziri në hapje të këtij manifestimi tha se gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete kulturore në kuadër të katër shtyllave në frymë garuese të “Flakës së Janarit”. “Po bëhen 28 vjet që ne përkujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë e martirët e Gjilanit në nivel kombëtar përmes ‘Flakës së Janarit’.

Gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete kulturore në kuadër të katër shtyllave në frymë garuese. Presim me padurim për të parë kualitetin e aktiviteteve sepse nderimi dhe respekti shkon gjithmonë për dëshmorët e kombit si Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Lavdi dhe të ecim gjurmëve që na lanë amanet dëshmorët”, u shpreh Haziri.

I pari i Gjilanit, i cili shoqërohej nga nënkryetari Arbër Ismajli, drejtoresha rajonale e Policisë së Kosovës Elmina Mahmuti dhe komandanti i Stacionit Policor Alban Ramushi, ka vizituar edhe Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë të FSK, ku janë pritur nga komandanti Berat Shala.

Gjatë ditës kryetari Haziri ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke ngritur në piedestal veprën heroike të bijve të tyre, sikurse ka vlerësuar lart kontributin e këtyre familjeve për çështjen kombëtare.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e familjes Berisha dhe Mala kanë falënderuar kryetarin Haziri, për, siç thanë, kujdesin e jashtëzakonshëm që ka treguar ndaj tyre dhe ndaj të gjitha familjeve të tjera të dëshmorëve në Gjilan.

Tash e 28 vjet në Gjilan në kuadër të “Flakës së Janarit” mblidhen trupa teatrore nga vendet e ndryshme shqipfolëse për të dhënë para publikut gjilanas shfaqjet e tyre. Aty mbahet ora e madhe letrare, prezantohen koncerte të ndryshme për të rriturit e për fëmijët, si dhe ekspozita.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit , Shpresa Hajdari, përmes një konferencë për medie kohë më parë ku ka prezantuar aktivitetet e shumta, të cilat janë realizuar nga dikastere të ndryshme të kësaj Drejtorie, ka thënë se si Drejtori janë të angazhuar maksimalisht për realizimin e kalendarit të aktiviteteve dhe të planit të punës konform edhe interes të qytetarëve të Gjilanit. “Jemi qytet që frymën e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore e mbajmë në nivelin më të lartë të mundshëm në nivel të Republikës. Kjo tashmë është dëshmuar me aktivitete të shumta dhe të larmishme për të gjitha moshat. Gjilani që nga Teatri, trupa e së cilës është përfaqësuese e Gjilanit në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë kufijve e deri te festivalet për fëmijë që janë një shembull i organizimit, dëshmon për gjallërinë e madhe”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, sipas Hajdarit, aktivitetet sportive Gjilanit ia kanë rritur namin dhe e kanë vendosur në vendin e parë në nivel vendi dhe përfaqësuese e denjë në garat ndërkombëtare të futbollit.

Drejtoresha e Kulturës në këtë Komunë ka potencuar që DKRS-ja vazhdimisht punon për organizimin e manifestimit shumëkulturor, mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019” dhe shpresohet në mbështetjen edhe për këtë vit nga ana e Qeverisë së Kosovës./ZËRI