Basri Çapriqi kujtohet përmes poezisë në njëvjetorin e vdekjes

Kultura January 15, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje
Image

Teatri Kombëtar i Kosovës të hënën ka mbledhur miq të artit e të poezisë, studentë, profesorë e familjarë, të cilët e përkujtuan në njëvjetorin e vdekjes poetin Basri Çapriqi.  Siç u tha, ai ka ikur për të na lënë ne ta kujtojmë e ta lexojmë dhe duke lexuar disa nga poezitë e tij u përkujtua. Aktorët profesionistë: Teuta Krasniqi, Rozi Kryeziu, Shpëtim Selmani dhe Faris Berisha filluan me poezinë "Ulli me dy mijë unaza", për të vazhduar me leximin e dy poezive që miqtë e tij të ngushtë Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota kanë shkruar për të ndjerin Çapriqin.

“Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe të lexuesve të tij. Takimi i veprës së tij me lexues, që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër”, u tha, ndër të tjera, në këtë rast, duke e përkujtuar figurën poetike të Çapriqit.

Miku dhe bashkëpunëtori i Çapriqit, Milazim Krasniqi, për gazetën “Zëri” ka kujtuar shumë momente që ka kaluar me autorin e madh. Ai rendit seclin fakt për të veç e veç, duke thënë se e para ai ka qenë njëri nga miqtë e tij më të mirë dhe si të tillë e kujton çdo ditë, pas 30 vjetësh miqësi. Profesor Krasniqi thotë se me të ka udhëtuar bashkë nëpër aktivitete kulturore, politike, duke bërë aksione të ndryshme sikurse edhe  protestat e shkrimtarëve ne fund të viteve ’80-a, pastaj duke qenë bashkë në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në formimin e PEN-qendrës. “Miqësia, puna, por edhe idealet e përbashkëta na kanë lidhur gjithmonë”, thekson me emocion Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka vlerësuar veprën e tij duke thënë se edhe për së gjalli ka shkruar për Basriun dhe për disa nga veprat e tij. “Pa dyshim që ka qenë njëri nga poetët më emblematikë të frymës postmodernistë në letërsinë shqipe. Nuk është vlerësuar sa duhet deri më sot, por besoj që me një vlerësim kritik poezia e tij do të jetë njëra nga poezitë më autentike të kësaj fryme të kohës kur shprishet një sistem i vlerave, kur njeriu duket shumë më skeptik ndaj asaj që ndodh, është më dyshues, më i pasigurtë dhe nga poezitë që u dëgjuan sot mund të vërehen këto konotacione të poezisë së tij”, shprehet Krasniqi, duke ritheksuar se Basriu ka qenë njëri nga publicistët dinamikë veçmas në vitet e ’90-ta, në fillimin e rrënimit të komunizimit në Kosovë dhe në Shqipëri. “Ka një libër ‘Aksidenti i orës shqiptare’ e që kanë qenë shkrime ku unë pata porositur në vazhdimësi tek ai për revistën ‘Fjala’, ku unë isha kryeredaktor i kësaj reviste dhe në fund të saj e kam botuar si libër, ngase është një nga librat, ku shpreh në mënyrë autentike mendimin intelektual lidhur me procesin e rrënimit të komunizmit, të promovimit të demokracisë”, ka thënë Krasniqi duke kujtuar se si libër i tillë ka një vlerë të konsiderueshme.

Milazim Krasniqi thotë se Basriu ka vdekur i ri, por vepra që ka lënë është një vepër e cila do të jetojë gjatë në mendjen tonë, por edhe në kulturën shqiptare.

Studentët e Gazetarisë kanë pasur fatin të mësojnë për veprën e Çapriqit. Se sa kanë për ta pasur një fat të tillë studentët e departamenteve tjera, Krasniqi shprehet i bindur se do të duhet të ndodhë një reformë rrënjësore e gjithë sistemit të arsimit, të mësimit të letërsisë dhe të formave të tjera të dijes dhe të njohjes.

“Mësimet i kemi kryesisht të lidhura me periudhat e hershme historike, me letërsinë antike-greke, merremi më shumë se më letërsinë aktuale. Edhe pse letërsia aktuale shpreh më qartë këtë shqetësim të dramacitetit të jetës së njeriut të sotshëm, po e lidhi këtë se autorët Basri Çapriqi, Esad Mekuli, Ali Podrimja, Azem Shkreli do të gjejnë vend shumë më tepër në mësimin e letërsisë dhe në atë rast do të ndodhë edhe një forcim i identitetit kulturor dhe nacional shqiptar”, thotë Krasniqi duke shtuar se poeti i ndjerë po kujtohet vërtet me mall. “E kujtojmë me dhimbje, por pa dyshim është ndjenjë shumë e mirë që kemi pasur një mik me aq vlera. Basriu ka pasur një formim shumë urban, civil, ka qenë njeri i cili ka ditur të bëjë humor dhe e ka dashur jetën. Edhe ne na ka futur në vorbullën e këtyre koncepteve. Bashkë me Saliun dhe Ibrahimin kemi mësuar shumë prej sharmit, stilit dhe mirësisë të tij”, përfundon fjalën e tij profesori dhe miku i ngushtë i Çapriqit, Krasniqi.

Sali Bashota, bashkëpunëtor dhe miku i Çapriqit, shprehet i emocionuar për këtë ditë duke kujtuar se mungesa e tij është e madhe. “Që nga viti 1978 plot 40 vjet kemi qenë bashkë në një gjeneratë të studimeve, në Degën e Letërsisë Shqipe, atë e kam shokun tim të ngushë, kemi punuar në një zyrë, si asistentë në Fakultetin Filozofik atëherë”, kujton Bashota. Ai thotë se Basriu i ka lënë shumë kujtime të cilat jorrallë i bëhen edhe kujtime të ditës, duke përmendur çdo ditë fjalët dhe punën e tij. “Ne kemi biseduar jo vetëm për fakultetin, por edhe për poezinë, për projektet e ardhshme, së fundi kemi bërë një antologji bashkë ‘Antologjinë e poezisë shqipe’ të shekullit 20, bashkë me Sadik Bekun, Kuçukun. Kemi pasur dhe shumë projektet t’i realizojmë në të ardhmen”, rendit një nga kujtimet Bashota duke thënë se e veçanta është që Basriu asnjëherë në jetën e tij nuk e ka përmendur vdekjen, as edhe në katër vjetët e fundit kur ishte i sëmurë.

Ky homazh poetik u bë në organizim të PEN-qendrës së Kosovës, të cilën e kishte themeluar dikur vetë Çapriqi. Basri Çapriqi (1960) qysh nga botimi i përmbledhjes së tij të parë me poezi "Ulli me dy mijë unaza" (1983) ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare. Më pastaj ka botuar edhe përmbledhjet: "Në fund të verës" (1986), "Ma qet gjuhën" (1989), "Frutat bizare" (1989) etj. Përveç poezisë, Çapriqi, përndryshe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ka botuar edhe tekstet studimore: "Mikrostruktura e tekstit" (1990), "Përmasat e kontekstit" (1998) dhe para disa muajsh librin "Simboli dhe rivalët e tij", që paraqet njëkohësisht temën e tij të doktoratës.  Basri Capriqi vdiq më 14 janar të vitit 2018.