GKK-ja kujton veprën e Alije Vokshit

Kultura February 14, 2019 - 11:02

 

Image

Alije Vokshi është femra e parë e cila ka përfunduar studimet akademike në pikturë. Për të folur për karrierën e saj të mërkurën u mbajt takim në Galerinë Kombëtare të Kosovës, i emëruar “Kafe me artisten”, të cilën e udhëhoqi artisti Lorik Sylejmani, që njëherëësh është edhe nipi i artistes Alije Vokshi. Fotografia e Alije Vokshit, e cila ishte e vendosur në fillim të ekspozitës “Burrneshat” ka ngjallur interes te publiku. Sylejmani rrëfeu shumë kujtime dhe rrugëtimin e tezes së tij në botën e artit. Po ashtu sukseset e sfidat në karrierën e saj mjaft të pasur artistike u zhvilluan edhe nga prezenca e artistëve që kishin eksperienca me Alijen qoftë si nxënës të saj, si kolegë ose edhe si familjarë.

Në kohërat që konsideroheshin të vështira, Vokshi ishte femra e parë që kishte marrë rrugën për studime në Beograd. Ajo ka studiuar në klasën e Milo Milunoviqit, gjenerata 1965-1967, ndërsa përfundoi studimet në klasën e profesor akademik Nedeljko Gvozdenoviqit, Akademia e Arteve të Bukura në Beograd.

Në mesin e pyetjeve ajo më shqetësuesja ishte se kur dihej niveli i mentalitetit të asaj kohe si ka arritur që Vokshi të nisë një rrugëtim të tillë. Loriku, nipi i saj, tregoi se rrugëtimi i saj dëshmon rëndësinë që ka mbështetja e familjes, neglizhencën e institucioneve ndaj kësaj artiste, si edhe arsyet prapa mungesës së artisteve, grave të përfaqësuara në art. Ai tha se kjo nuk është për t’u çuditur, ngase Alije Vokshi vjen nga një familje e shkolluar, por përveç studimeve mësohet se Vokshi kishte dhe karakteristika tjera të veçanta që e bënin të dallohej prej femrave të tjera të kohës. “Mësohet se ajo ka qenë femra e parë e cila ka vozitur makinë në Prishtinë, të cilën në protestat e ’81-shit e vendosi para ushtrisë serbe si barrikadë për të mbrojtur studentët e saj dhe të tjerët që protestonin. Një burrneshë e kohës së saj”, shprehet Sylejmani.

Po ashtu se Vokshi  ka qenë “Miss” i gjeneratës për bukuri në kohën e saj, po ashtu ka qenë pjesëmarrëse në reprezentacionin e Kosovës në basketboll.

Kurse para të pranishmëve gazetarja Arbana Hajredinaj, që i ka bërë një dokumentar artistes Vokshi, tregon se si është ndeshur me një rast kur pas publikimit të dokumentarit e kanë pyetur shumë njerëz se pse nuk është mësuar për të në fakultetin e arteve. Nipi tregon se e vetmja herë kur ajo ka pasur një përfaqësim të denjë ka qenë ekspozita me rastin e 50-të vjetorit të karrierës së saj, e kuruar nga vetë Sylejmani. Vokshi e cila ka pasur ekspozita jashtë vendit ku gëzoi respekt, e sidomos në Paris, në Kosovë ajo edhe në monografinë e parë nuk është paraqitur denjësisht, duke e shtuar pranë emrit të saj një fotografi bardhezi. Alije Vokshi njihet si gruaja e parë që u angazhua si profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Veprimtaria e saj ngërthen pikturën dhe vizatimin, me portrete të fuqishme karakteri, si dhe me peizazhe ekspresive.