Baleti i Kosovës prezanton shfaqjen 'Andërr'

Kultura February 14, 2019 - 11:04

Trupa Kombëtare e Baletit të Kosovës prezanton këtë të enjte premierën e parë për sivjet. Nën koreografinë e Kreshnik Musollit, që edhe vetë është pjesë e kësaj trupe, balerinët do të ngjiten në skenë me fillim nga ora 20:00 për të prezantuar shfaqjen “Andërr”. Shfaqja do të ketë reprizën edhe të nesërmen, më 15 shkurt. Siç ka treguar për “Zërin” koreografi Musolli, e veçanta e kësaj shfaqjeje është se ajo gërshetohet me muzikë hip-hop. “Pikë së pari, ajo që e dallon këtë shfaqje prej shfaqjeve tjera është muzika hip-hop, muzikë me të cilën jam rritur edhe vetë dhe që kurrë nuk e kemi parë deri tash në balet. Kjo ka domethënie shumë për mua, ngase pasqyrohet një pjesë e realitetit të jetës që ne e jetojmë dhe jo të tjerët”, u shpreh koreografi.  Këtë ëndërr të Musollit do ta sjellin balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu, që paraqiten në rolet kryesore, si dhe anëtarët e tjerë të Trupës.

“Andërr” po bëhet shfaqja e tretë koreografinë e së cilës e ka punuar një anëtar i Trupës Kombëtare të Baletit. E para ishte “Pa mure” nga Teuta Krasniqi, kurse e dyta “O.Taka” nga Sinan Kajtazi. Të dyja këto shfaqje u prezantuan gjatë vitit 2018.