“MoMA” mbyll dyert përkohësisht

Kultura February 15, 2019 - 10:02
Lexo më shumë detaje

Muzeu i Artit Modern në Nju Jork (MoMA) do të mbyllë dyert për një periudhë katërmujore, nga mesi i qershorit deri në fund të tetorit. Kjo është periudha e nevojshme për të përfunduar fazën e fundit të punimeve për zgjerimin e institucionit.

Në momentin e rihapjes, më 21 tetor, muzeu do të përfshijë 3600 metra katrorë hapësirë shtesë, që do të shërbejë si ekspozitë, ose një të tretën më shumë sesa sipërfaqja e shfrytëzuar deri më tani, 12500 metra katrorë.

Projekti, i cili do të kushtojë 400 milionë dollarë në total, synon jo vetëm shtimin e galerive në muze, por edhe të nxisë dialogun midis formave të ndryshme të arteve pamore, pikturës, por edhe arkitekturës, skulpturës, fotografisë ose dizajnit.

“MoMA” do të ketë gjithashtu brenda strukturës së saj një hapësirë të re, e pagëzuar “The Studio”, që do t’i mirëpresë performancat e drejtpërdrejta.

Muzeu i Artit Modern (MoMA) është një muze arti i vendosur në Midtown Manhattan, në qytetin e Nju Jorkut, në rrugën e 53-të, midis rrugës së pestë dhe të gjashtë.

“MoMA” luan një rol të madh në zhvillimin dhe në mbledhjen e artit modernist dhe shpesh identifikohet si njëri nga muzetë më të mëdhenj dhe më me influencë të artit modern në botë. Koleksioni i “MoMA”-s ofron një pasqyrë të artit modern dhe bashkëkohor, duke përfshirë veprat e arkitekturës dhe të dizajnit, të vizatimit, të pikturës, të skulpturës, të fotografisë, të shtypjeve, të librave të ilustruar, të librave të artistëve, të filmit dhe të medias elektronike.

Biblioteka “MoMA” përfshin rreth 300.000 libra dhe katalogë ekspozimi, mbi 1.000 tituj periodikë dhe mbi 40.000 fotografi rreth artistëve dhe grupeve individuale. Arkivat mbajnë material burimor kryesor në lidhje me historinë e arit modern dhe bashkëkohor. Ideja për Muzeun e Artit Modern u zhvillua në 1929-n kryesisht nga Abby Aldrich Rockefeller (gruaja e John D. Rockefeller, Jr.) dhe dy nga miqtë e saj, Lillie P. Bliss dhe Mary Quinn Sullivan.

Muzeu gjithashtu fitoi përparësi ndërkombëtare me retrospektivën jashtëzakonisht të suksesshme të Picassos në vitet 1939-’40, që u mbajt në bashkëpunim me Institutin e Artit të Çikagos. Në gamën e punimeve të paraqitura ajo përfaqësonte një riinterpretim të rëndësishëm të Picasso për studiuesit dhe historianët e artit në të ardhmen.