Çelaj: Distanca emocionale do të sjellë vepra më të mira për luftën

Kultura February 16, 2019 - 08:26
Lexo tjera detaje
Image

Në radhët e atyre që iu bashkuan luftës çlirimtare të Kosovës rreth njëzet vjet më parë, duke i paraprirë kështu pavarësimit më 2008-n, pati edhe artistë, shkruan Gazeta "Zëri".

Njëri ndër ta ishte edhe aktori Lirak Çelaj. Artisti ushtar shpalos për gazetën “Zëri” disa kujtime të luftës, si dhe perspektivën e tij për artin në Kosovë dy dekada pas çlirimit e më tepër se një dekadë pas pavarësimit. Çelaj, që aso kohe ishte 25-vjeçar, thotë se nuk e ka pasur vështirë ta marrë vendimin për të veshur uniformën e UÇK-së.

“Nuk e kam pasur aspak të vështirë të vendos t’i bashkohem luftës, sepse e kam ditur gjithmonë se e vetmja zgjidhje për t’u çliruar nga Serbia është lufta. Po i shohim se edhe pas çlirimit përpjekjet e tyre janë agresive. D.m.th. është ditur se metodat paqësore nuk do të kenë efekt. Asokohe kam qenë 25-vjeçar. I jam bashkuar Zonës Operative të Llapit dhe atje kam qëndruar nga tetori deri në fund të luftës”, kujton Liraku, shkruan Gazeta "Zëri".

Ai thotë se jo vetëm për të si artist, por për të gjithë të tjerët lufta ka qenë ambient jomiqësor, megjithatë sipas Çelajt momenti kur ka veshur uniformën e UÇK-së dhe është armatosur ka qenë hera e parë në jetë kur është ndier i lirë.

“Ndjenja që po i dal zot vendit tim ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme”, thotë ai. I pyetur nëse mendon se lufta e Kosovës është trajtuar mjaftueshëm dhe siç duhet artistikisht ai vlerëson përpjekjet që janë bërë, por konsideron që mungon një vepër më e plotë.

“Ka pasur përpjekje. Disa prej tyre më serioze, por për vete nuk jam i kënaqur me mënyrën ose me një vepër që tamam e paraqet luftën. Ne edhe si shoqëri jemi në amulli dhe kjo tema me luftën e veteranët është devalvuar shumë në mënyrën sesi po debatohet dhe ka marrë një kah jo të mirë”, shprehet ai, duke shtuar se është i bindur që një vepër e tillë do të vijë me kalimin e kohës. “Unë besoj që nëse jo ne si brez që e kemi përjetuar, brezat e rinj të cilët e krijojnë një distancë emocionale do të krijojnë vepra që do ta paraqesin më realisht dhe si duhet luftën”, shton Çelaj, i cili edhe vetë ëndërron që dikur të projektojë një vepër të tillë.

“Unë ëndërroj ta bëj një vepër për luftën, por gjithmonë është droja se mos po e minimizoj dhe nuk po arrij ta projektoj mandej ashtu siç vërtet ka qenë. Shpesh kam hezituar dhe e kam frenuar veten, sepse më është dukur që nuk po di ta trajtoj si duhet”, tregon ai. Për fund Çelaj shton se duke e krahasuar me paraluftën në rrafshin kulturor Kosova qëndron shumë më mirë, por konsideron se entuziazmi i artistëve të cilët kanë bërë art në okupim ka qenë tjetër dhe më i madh./ZËRI

Image