Mehmeti koncert në “Blue Note” bashkë me Vic Juris

Mehmeti koncert në “Blue Note” bashkë me Vic Juris

Kultura mars 22, 2015 - 13:45

Në klubit më të madh të xhazit në botë, do të luajë edhe një shqiptar. I riu nga Kosova, Taulant Mehmeti, do të luajë në klubin “Blue Note”, ndërsa mysafir special në këtë koncert do të jetë kitaristi legjendar Vic Juris.

Në koncertin që do të mbahet të dielën (sot), Mehmeti do të interpretojë “Jeta’s Mood”, “Kosovology”, “Like Xhafa”, “Up to the Bronx” vepra që i ka kompozuar pasi ka shkuar në New York, do të interpretojë edhe ato që i ka kompozuar në Kosovë dhe vepra të mëdha botërore.

Taulant Mehmeti është duke studiuar në “New School for Jazz and Contemporary Music” në New York, e cila është një ndër shkollat më të mira të xhazit në botë.

Kitaristi ka treguar për “Zërin” se koncerti organizohet nga “New School”, e që kanë zgjedhur Mehmetin të luajë në klubin e xhazit “Blue Note”, më i madhi në botë i të gjitha kohërave.

“Në këtë koncert mysafir special do të jetë kitaristi legjendar Vic Juris, i cili është njëra prej arsyeve që vendosa të vij të studioj edhe të jetoj në New York”, ka thënë Mehmeti, derisa ka treguar se Vic Juris është njeri nga kitaristët e tij më të preferuar. Interpretimin bashkë me Vic Juris, kitaristi kosovar e quan ëndrrën më të madhe që e ka pasur e që është duke u realizuar tani.

“Ky është hapi më i madh në karrierën time, do të jetë një kënaqësi e madhe të performoj muzikën time origjinale me Vic Juris, i cili është ikonë e rëndësishme e historisë së xhazit”, ka thënë Taulant Mehmeti për gazetën.

“Jeta’s Mood”, “Kosovology”, “Like Xhafa”, “Up to the Bronx” e të tjera vepra, janë kompozimet që Mehmeti i ka realizuar pasi ka shkuar në New York, të cilat do t’i luajë në koncertin që do të mbahet në “Blue Note”.

Ai ka treguar se gjatë koncertit do të interpretojë disa nga kompozimet e tij origjinale, të cilat janë pjesë e albumit të tij të parë në bashkëpunim me grupin “Trio of Love”, album i cili është lansuar në Prishtinë.

“Pjesë e programit të koncertit do të jenë edhe disa kompozime të famshme të xhazit klasik dhe atij bashkëkohor”, ka thënë Taulant Mehmeti, duke shtuar se në New York është shumë më ndryshe se në Kosovë, ka shumë konkurrencë dhe shumë mundësi në të njëjtën kohë.

“Të gjitha gjërat që i ëndërroj me shumë punë dhe durim ato realizohen për mua”, është shprehur Mehmeti, i cili në koncerte të ndryshme ka pasur rastin të performojë fitues të çmimit “Grammy”, si: Richard Bona, Linda Briceno, JC Hopkins Big Band e të tjerë. Taulant Mehmeti thotë se dëshiron të bëjë më shumë koncerte si lider me muzikën e tij.

Ai ka treguar se ka sa në plan të incizojë disa albume në të cilat është duke punuar tre vitet e fundit. “Planifikoj t’i realizoj pasi që të përfundoj studimet në “New School” meqë tani jam shumë i zënë me studime edhe me performanca në klube të ndryshme dhe me incizime me artistë të ndryshëm”, ka treguar kitaristi nga Kosova.

“Sidoqoftë gjëja më rëndësishme për mua është që ta bëj muzikën dhe performancën time sa më mirë, dhe ta ushqej veten me dije për çdo ditë”, ka thënë Taulant Mehmeti, i cili ka filluar të merret me muzikë qëkur ishte 12 vjeç.

Sa ka qenë në Kosovë, Mehmeti ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë edhe bende të ndryshme, derisa përmend bashkëpunimet me: Rona Nishliu, “Freelancers”, “Bim Bimma”, “Gypsy Groove” e Shpat Deda.

“Fati më i madh që kam pasur është që njoftova Armend Xhaferin, ai ishte personi që më hapi dyert për muzikën xhaz dhe është mësuesi më i rëndësishëm që kam pasur në Kosovë”, shprehet Mehmeti, derisa thotë se ka pasur eksperiencë të mirë, dhe ka mësuar edhe nga muzikantë si Ilir Bajri, Luan Osmani, Sheki Hoxha, Visar Kuçi e shumë të tjerë.

Taulant Mehmeti tregon se në Kosovë ka marrë pjesë në: “TED Talks” Prishtinë, “Prishtina Jazz Festival”, “Ngom Festival” Prizren, “Green Festival” Mitrovica, “AniBar Festival” Peja, “DokuFest” Prizren, pastaj në Rumani ka qenë pjesëmarrës në “International Gypsy Romanian Festival Bucharest”, në Shqipëri në “Tirana Jazz and World Music Festival”, “Shkodra Summer Jazz Fest” Shkodër, në Belgjikë në “Concert Noble Brussels”, “Stars of Tomorrow - Hudson River Park” në New York e të tjera.

“Projekti më i suksesshëm që kam pasur në Kosovë ishte grupi ‘Trio of Love’ bashkë me Fatlind Ferati dhe Enes Bajramliqi”, ka thënë Mehmeti, duke treguar se me shumë punë dhe dashuri për muzikën kanë incizuar një album me muzikë origjinale, i cili është promovuar me një koncert. Ai thotë se “Prishtina Jazz Festival”, i vetmi festival i këtij lloji në Kosovë i organizuar nga artisti Ilir Bajri, e ka ndihmuar dhe e ka motivuar shumë.

Dëshira e Taulant Mehmetit ishte që të vazhdonte studimet e muzikës xhaz pasi që në Kosovë nuk ka shkollë për muzikë të tillë, ndërsa thotë se me ndihmën dhe përkrahjen e familjes ka arritur të studiojë në “New School for Jazz”.

Ai thotë se në New York është duke përjetuar një eksperiencë fantastike, ku ka rastin të njihet dhe të studiojë me disa nga muzikantët që gjithmonë ka ëndërruar t’i takojë.