50 dorëshkrime në garë për çmimin “Kadare”

50 dorëshkrime në garë për çmimin “Kadare”

Kultura April 16, 2019 - 10:16
Lexo më shumë detaje

 

Interesimi për të garuar për çmimin “Kadare” edhe këtë vit nuk ka munguar. Siç mësohet, 50 dorëshkrime janë dorëzuar pranë konkursit të përvitshëm të letërsisë shqipe “Kadare”. Tashmë juria është në fazën e leximit për të seleksionuar vetëm 10 prej tyre për të vijuar garën për çmimin e madh. Juria do të mblidhet javën e fundit të prillit për të bërë publik se cilët nga autorët që ia kanë besuar dorëshkrimet e tyre këtij konkursi do të jenë pjesë e konkursit “Kadare”. Mes 50 kandidatëve përfshihen emra të njohur në letrat shqipe, si Faslli Haliti, Grigor Banushi, Ylljet Aliçka, Roland Gjoza, Thanas Dino e Mimoza Hysa. Si në edicionet e mëparshme, edhe këtë vit spikaten autorë të rinj. “50 dorëshkrime është një shifër mbresëlënëse për një letërsi të vogël si jona. Janë krijime që janë realizuar përgjatë këtij viti, çka do të thotë se konkursi është kthyer në një motiv për shumë krijues. Por ajo çfarë është e rëndësishme është fakti që veprat e dorëzuara janë të një niveli të lartë”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e konkursit.

Sipas saj, edhe këtë vit ka një rritje të autorëve që shkruajnë tregime. Kjo gjini me një traditë të mirë në letërsinë shqipe duket se po përsoset dhe po i bashkohen autorë të rinj. “Sinopset bashkë me 15 faqet e para të 50 veprave tashmë janë në duart e jurisë, e cila ka nisur punën për të gjykuar me seriozitet secilin prej tyre. Javën e fundit të prillit juria do të mblidhet për të diskutuar mbi veprat, por dhe për të dhënë vendimin final mbi 10 autorët që do të mundë të vazhdojnë garën. Në një fazë të dytë do të ketë një tjetër seleksionim, i cili do ta ngushtojë garën vetëm në 5 autorë, që do të garojnë për çmimin e madh”, thotë Bardhyli.

Fituesi i edicionit të pestë të çmimit “Kadare” do të bëhet publik në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen në javën e parë të qershorit në Razëm. Juria e këtij edicioni kryesohet nga shkrimtari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha, ndërsa në përbërje të saj janë edhe Diana Kastrati, Mehmet Kraja, Alda Bardhyli dhe Genciana Abazaj. Çmimi letrar “Kadare” është njëri nga konkurset më të rëndësishme në Shqipëri.

Disa nga titujt e dorëshkrimeve të dorëzuara janë: “Figurinat” e Murat Aliajjt, “Bisha e thinjur” nga Eqrem Canaj, “Itaka” - Fate Velaj, “Lugina e Veriut” e autorit Aleksandër Përgjini, “Margaritari i një çmendinë” - Salvator Gjeci, “Rikthim” - Gezim Hoxha, “Gjurmë të një arratie” - Jovan Bizhyti, “Bastardët fisnikë” - Bledar Kurti, “Spektri” - Elona Gjergo, “Më në fund” - Kujtim Lapa, “Mos harro të më kujtosh” - Liridon Mulaj, “Profani” - Enea Ruci, “Internimi” - Çlirim Hoxha, “I kthyeri” - Tobias Xhaxhiu, “Diell i ulët” - Thanas Dino, “Tregime” - Loer Kume, “Dy” - Suad Arilla, “Lavdi Marrëzive” - Imer Topanica, “Antrakti suedez” - Fatmir Lleshi, “Limonë dhe Kokoshka” - Erjon Papagjoni, “Ishte me fat Zonja B” - Bardh Frangu, “Fuego” - Shpetim Selmani, “Metamorfoza e një kryeqyteti” - Ylljet Alicka, “Bijat e gjeneralit” - Mimoza Hysa dhe “Statuja” - Ullir Burimi.