Filipovski kujton Kosovën dhe njerëzit që ka takuar

Filipovski kujton Kosovën dhe njerëzit që ka takuar

Kultura April 22, 2019 - 11:29
Lexo më shumë detaje
Image

Artistja Vana Filipovski është njëra nga pjesëmarrëset e projektit “Icebreakers” vitin e kaluar. Ajo për “Zërin” ka rrëfyer se cilat janë përshtypjet e saj në lidhje me këtë program dhe sa i ndihmon ky program artistët e për më tepër se çka ka mësuar për Kosovën. “Vitin e kaluar unë kam qenë pjesë e projektit. Unë kam kaluar shumë mirë edhe në Kosovë. Kam takuar njerëz shumë të mirë, ka qenë një përvojë e imja e re që të njoftohem me këdo nga Kosova. Arsyeja se pse unë jam paraqitur në këtë program ka qenë se unë kam shkruar tezën e masterit me temë ‘Roli i fotografisë në pajtim’. Dhe përderisa pata shkruar për anën teorike në njëfarë forme ky projekt e ka zhvilluar anën praktike, jo drejtpërdrejt, por i ka ndihmuar shumë asaj që kam shkruar”, rrëfen Filipovski.

Vana ka bashkëpunuar me Shpat Malokun, i cili është arkitekt. Ajo thotë se të dyve i ka interesuar fotografia, kështu që kanë bashkuar forcat dhe kanë punuar së bashku. “Kemi bërë një ekspozitë të fotografive, ku kemi përmbledhur fotografitë e ndërtesave të Prishtinës dhe të Prizrenit me ato të Beogradit, duke i bërë në një fotografi të përbashkët. Poenta qëndron se përshtypja që të lë një qytet reflekton në fotografi, në ndërtesa se si duken ato në planifikimin urban”, thekson Filipovski që tutje shton se përmes fotografive të ndërtesave i lidhnin dy kultura.

Sipas saj, kultura ndikon në zgjidhjen e konfliktit të kaluar, të cilin e kemi përjetuar si shoqëri. Filipovski thotë se ky projekt i ka ndihmuar po ashtu në thyerjen e paragjykimeve se si njerëzit mund të hanë, të pinë dhe të flenë së bashku. Ajo thotë se përshtypja e parë që ka pasur për Prishtinën ishte si një vend shumë i errët, i zbehtë, por prej momentit që ka filluar të shoqërohet, të dalë e të shohë vendin i ka ndërruar e gjithë përshtypja. “Njerëzit janë shumë mikpritës, sikur në restorante, në shtëpi, në rrugë. Ushqimi është shumë i shijshëm. Prizreni më ka lënë përshtypje të mira se si duket si qytet, kalldrëmi, pjesët e vjetra, të gjitha këto e kanë bërë të bukur në sytë e mi”, tha ajo. D.E

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”