Kënga që e bëri Milenën ta studiojë gjuhën shqipe

Kënga që e bëri Milenën ta studiojë gjuhën shqipe

Kultura April 22, 2019 - 11:31
Lexo më shumë detaje
Image

Milena Beranova është apsolevente e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Beogradit. Studentja serbe, që për pak muaj do të diplomohet në Degën e Gjuhës Shqipe, tregon për “Zërin” se si kënga që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision”-in e vitit 2008, e mbajtur në Beograd, e bëri kureshtare për këtë gjuhë. “Unë për herë të parë e dëgjova gjuhën shqipe në ‘Eurovision’-in e vitit 2008 kur është mbajtur në Beograd dhe Olta Boka e ka përfaqësuar Shqipërinë me këngën ‘Zemrën e lamë peng’. Kjo ishte kënga e parë që e kam dëgjuar në gjuhën shqipe dhe më ka pëlqyer shumë melodia e gjuhës se si tingëllon. Nuk dija as një fjalë, por e mësova të këndoj dhe kështu fillova të interesohem për gjuhën shqipe”, tregon Milena, e cila thotë se më vonë kur i erdhi koha të shkojë në fakultet zgjedhja për të ishte e thjeshtë, ajo ishte e vendosur të studionte gjuhën shqipe.

Milena tregon se çdo vit rreth 15 studentë fillojnë studimet e gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit, saktësisht në Katedrën e Shqipes, e cila është më e vjetër se 100 vjet. Aktualisht nga grupi i saj në vitin e katërt kanë arritur vetëm 5 studentë. E pyetur për reagimet e rrethit kur vendosi të studionte shqip, ajo tha se pati komente të ndryshme, edhe negative, porse me përkrahjen e familjes e ka pasur. “Nëna më ka dhënë përkrahje që në fillim. Vëllai nuk e kuptonte në fillim se pse gjuhën shqipe pikërisht, por tani katër vjet më vonë ai është shumë krenar me motrën e tij që studion shqipen, sepse kjo është një gjë e rrallë”, tregon ajo.

Milena i viziton vendet shqipfolëse shpesh. Ajo e vlerëson lart Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili organizohet në Universitetin e Prishtinës e në të cilin ka marrë pjesë dy herë si studente. “Ky seminar më ka ndihmuar shumë me gjuhën. Atje fillova ta flas gjuhën shqipe më lehtë, sepse këtu nuk mund ta praktikoj shumë”, thekson Milena.

Ajo tutje thotë se e vlerëson faktin që është një gjuhë ndryshe nga gjuhët e tjera të Ballkanit.“Unë i flas gjuhët që janë prej Ballkanit, gjuhën serbo-kroate, shqipe e greke. Konsideroj se në këto tri gjuhë ka shumë gjëra të ngjashme, siç është ndërtimi i fjalisë, etj”, thotë ajo.

Milena tregon se krahas gjuhës po përpiqet ta njohë e ta lexojë edhe letërsinë shqipe. Ajo e sheh gjuhën si thyese të barrierave dhe e konsideron të rëndësishme njohjen e gjuhës së njëri-tjetrit për përafrimin dhe për pajtimin mes Kosovës e Serbisë. “Besoj se shqiptarët të cilët jetojnë me serbët dhe serbët që jetojnë me shqiptarët duhet ta dinë gjuhën e tjetrit. Besoj se është hapi i parë për të bërë diçka në këtë raport”, thotë për fund ajo, duke theksuar se mendon që kemi shumë rrugë përpara drejt përafrimit ose pajtimit. Studentja e shqipes në Beograd tregon se në të ardhmen ka në plan të bëjë një master jashtë vendit, ndoshta në Greqi, dhe se ëndërron që një ditë të punojë si profesoreshë e gjuhës shqipe.

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”