Letërsia shemb muret që ka ngritur nacionalizmi

Letërsia shemb muret që ka ngritur nacionalizmi

Kultura April 22, 2019 - 11:49
Lexo më shumë detaje

 

Image

 

Shkrimtari serb Sasha Illiq, që është edhe është njëri nga redaktorët e Bibliotekës Kombëtare të Serbisë dhe njëri nga themeluesit e shtojcës “Beton”, të botuar nga e përditshmja “Danas”, për “Zërin” ka rrëfyer eksperiencat e tij me kosovarët viteve të fundit dhe ka folur për raportin Kosovë - Serbi në aspektin kulturor.

Viteve të fundit Illiq është angazhuar në projekte që përfshijnë përafrimin kulturor të të dyja vendeve. I pyetur se a beson që shkëmbimet kulturore janë ndërtuese të paqes Kosovë - Serbi, Illiq thotë se përderisa vjen nga sfera e kulturës, veçanërisht e letërsisë, beson që përmes kulturës dhe letërsisë mund të bëhen shumë gjëra në procesin e përafrimit. “Ajo çka është më e rëndësishme është procesi i mirëkuptimit mes njëri-tjetrit. Unë këtë do ta definoja si proces të mirëkuptimit, kurse përafrimi është një efekt i cili rrjedh nga procesi i mirëkuptimit dhe besimi. Pra përderisa njohim kulturën e njëri-tjetrit dhe përderisa lexojmë tekstet, konstatoj se jemi në një rrugë të mirë”, vlerëson Illiq.

Illiq thotë se mendon që letërsia mund të shembë muret që ka ngritur nacionalizmi. “Literatura bashkëkohore e cila është zhytur në realitet na sjell të gjithë problematikën e cila është e lidhur me gjeneratat e reja dhe problemet e gjeneratave të reja. Problemi në komunikim, në udhëtim, raportet mes njëri tjetrit, në mes të rinjve, këto janë disa prej gjërave të cilat nuk kanë ekzistuar në letërsinë e periudhës së mëhershme dhe me promovimin e kësaj letërsie e përkthimin e po atyre teksteve, sjelljen e kësaj literature në sistemin arsimor, kjo do të ndikojë në ndryshimet në shoqëri”, ka theksuar ai.

Illiq: Letërsia ka rënë së bashku me Jugosllavinë

Shtojca e pavarur e gazetës “Danas”, në të cilën është pjesë edhe Sasa Illiq, pati nxjerrë kohë më parë numrin special “Nga Beogradi, me dashuri”, ose “Iz Prištine, s ljubavlju”. Illiq për “Zërin” ka thënë se në përgjithësi të gjithë shkrimtarët të cilët ata i kanë ftuar të jenë pjesë e kësaj pune nuk kanë hezituar t’i bashkëngjiten projektit për ta thënë më saktë, sipas Illiq, ata me shumë qejf e kanë pranuar kërkesën, përveç njërit.

I pyetur se si e sheh zhvillimin e letërsisë në rajonin tonë pas shembjes së ish-Jugosllavisë, ai ka cituar disa teoricienë, duke përkrahur përfundimin se letërsia ka rënë së bashku me Jugosllavinë. “Një teoricien ka folur rreth asaj se shtrohet pyetja që ka mbijetuar letërsia pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Nacionalistët janë të prirë të mendojnë se ajo ka mbijetuar, se ne kemi kanunet tona dhe kjo me njëfarë forme është dëshmi mbijetese.

Megjithatë ka një tezë shumë interesante, unë do ta nënshkruaja atë tezë. E kjo është se letërsia ka rënë së bashku me Jugosllavinë dhe është e gjallë vetëm ajo letërsi e cila e rishkruan realitetin, kritikisht rishkruan të kaluarën dhe letërsinë e kohërave të mëhershme”, konstaton shkrimtari serb.

I pyetur se cilat tema po e preokupojnë që të shkruajë dhe se a është duke punuar në ndonjë libër të ri, Illiq për “Zërin” ka treguar se së shpejti do të botohet romani i tij me titull “Pas i Kontrabas”. “Kam përfunduar tani një roman që quhet ‘Pas i Kontrabas’ (Qeni dhe kontrabasi) dhe do të jetë i botuar në këtë vjeshtë. Ajo që flitet në libër është se heroi kryesor në të është një njeri në gjysmën e jetës së tij, në vitet e 40-ta, i cili ka qenë pjesëmarrës në luftë dhe përndryshe është muzikant xhazi e luan kontrabas. Pasojat e traumës vijnë nga rrethanat fatkeqe në jetën e tij dhe përfundon në spitalin psikiatrik në Kovinë, historia vijon më tutje.......”, rrëfen Illiq.

Shkrimtari Illiqi ka treguar se në Kosovë vjen dy-tri herë në vit dhe se kanë kaluar dhjetë vjet qëkur ai rregullisht viziton Kosovën. Ai thotë se ka bërë shumë miq e sidomos bashkëpunëtorë, me të cilët shumë shpesh takohet.

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”