Premiera e GOF-it, operës që pasqyron realitetin kosovar

Premiera e GOF-it, operës që pasqyron realitetin kosovar

Kultura May 15, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje
Image

Mbrëmja ditën e mërkurë “Kino Armatën” e gjen me shfaqjen e premierës së operës së parë bashkëkohore në Kosovë, operës GOF, muzikën dhe libreton e së cilës e ka shkruar kompozitori Liburn Jupolli.

E bazuar në dramën e Anton Pashkut, kjo shfaqje artistike e pasqyron realitetin kosovar, rrugëtimin fizik dhe virtual të tri personazheve, që paraqet gjendjen e vetëdijes njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen tri forma të konceptimit të lirisë në shoqërinë bashkëkohore të Kosovës. Njëri e gjen lirinë në “sëmundje”, i dyti duke i dalë në ndihmë vendit dhe i treti e kërkon atë përmes ikjes nga vendi.

Liburn Jupolli, kompozitor, pianist dhe novator në fushën e muzikës klasike, ka njoftuar se projektin në fjalë e kanë marrë përsipër për realizim para dy vjetëve. “Opera është e bazuar në tekstin e Anton Pashkut, një dramë e cila është shkruar në lidhje me vitet e ’30-ta për çështjen e kosovarëve në këto vite. Unë e kam marrë për ta adaptuar këtë tematikë për situatën tonë sot, përkon shumë çdo pjesë e tekstit me kohën tonë në Kosovë sot”, vlerësoi Durmishi, i cili prezantoi një nga një personalitetet që e përbëjnë veprën e tij. Durmishi nuk hezitoi të ftojë publikun që të përjetojë këtë formë muzikore të operës bashkëkohore. Kurse konceptin e operës e përshkruan duke thënë se është një tregim në tri perspektiva të realitetit tonë që jemi duke e përjetuar sot ose potencialisht që është duke u përsëritur gjatë historisë gjithnjë e më shumë.

Armando Likaj, bariton i cili ka interpretuar 45 role brenda dhe jashtë Shqipërisë, është pjesë e operës premierë, për medie ai thekson se është eksperienca e parë që merr pjesë në një vepër - operë të muzikës bashkëkohore. “Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që jam pjesë e një ekipi kaq të fortë, me një bashkëveprim të ndërsjellë, shumë profesional. Shpresoj që të pritet dhe të kuptohet siç duhet mesazhi i fortë që përcjell kjo vepër. Mendoj që publiku duhet ta vlerësojë dhe duhet të kuptojë bukurinë e fjalës dhe të veprës GOF, me muzikën e magjishme që ka bërë Jupolli”, vlerëson Likaj. Ai përfundon fjalën e tij, duke thënë se po ashtu risi është që janë realizuar edhe pamjet filmike dhe po ashtu janë shoqëruese gjatë gjithë ngjarjes në veprën GOF.

Erëmira Çitaku, flautiste, ideatore dhe organizatore e ngjarjeve kulturore, ka folur për ecurinë e organizimit të veprës. “Ne kemi realizuar edhe më parë ngjarje të ndryshme kulturore, këtë herë kemi qenë në një bashkëpunim të ngushtë. Shpresojmë që kjo mbrëmje do të jetë shumë atraktive në llojin e vet. Ftojmë publikun të mos e humbin shansin që të shohin veprën e re të muzikës bashkëkohore”, tha ajo.

Pjesë e operës GOF është edhe tenori i dëshmuar në botë, Luan Durmishi, ai e ka vlerësuar si një projekt të rëndësishëm në kulturë premierën në fjalë. “Rreth organizimit organizata joqeveritare ‘Rexho Mulliqi’, siç dihet në statutet e tyre, ka për obligim të bashkëpunojë me mediume të tjera të artit, në këtë rast opera GOF vjen si një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë organizatë. Në perspektivën time zakonisht jam i prirë që të jem fans i shumë projekteve kulturore që pasqyrojnë realitetet e hidhura të cilat kanë edhe probleme të natyrës politike. Kështu që në kohërat në të cilat ka kaluar GOF-i kjo është periudha e tretë ku ka marrë këtë realitet në të cilin Kosova gjendet sot, ku çdo i dyti person lyp ikjen nga vendi dhe në operë personazhi kërkon lirinë e vet”, tha në fjalën e tij Durmishi.

Më tutje kur foli për aspektin muzikor ai u shpreh i lumtur që këndon rolin e Lulanit dhe sipas tij bindshëm ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme në jetën e tij.

Lum Çitaku, i cili ka punuar në botën filmike për operë dhe për ekipin realizues teknik të operës GOF, tha se është i gëzuar që po punon në një operë me këtë trajtim, që si projekt ka filluar qe dy vjet dhe është zhvilluar në vazhdimësi në një kontekst të së tashmes. “Me materialitetin që na rrethon në këtë kohë, jam shumë i lumtur që e kemi pasur një bashkëpunim dhe ndërtim të të gjitha aspekteve që e kanë formësuar operën në këtë formë që do ta shihni nesër. Aspekti filmik është trajtuar në një medium të quajtur botëfilm, që huazon dhe integron koncepte dhe forma të shënjimit prej videolojërave dhe prej kontekstit digjital në mediumin e filmit dhe të videos, e bën kapërcimin në kuptimin e virtualitetit në diçka si shumë njerëzore”, vlerëson Citaku.

Tomor Kuçi, pjesë e ekipit teknik, tha se është njëfarë kombinimi i punëve që ka bërë më herët, por edhe ka mësuar shumë sende të reja. E sipas tij, përveçqë ka qenë nder, ka qenë shumë inspiruese të punosh në këtë projekt. “I kam ndier krejt ndjenjat që i di deri sot dhe zgjon ndjenja shumë të ndryshme. Është interesant të përmendet metoda e punës, është dashur të gjendet një metodë të re, njëfarë kombinimi mes qasjes ndaj dizajnit-tingullit. Vepër e mirë dhe njerëz që do të përjetojnë sende të reja, kjo për ne është realisht e nevojshme”, tha Kuçi.

Të pyetur se sa ka qenë e vështirë të adaptohet skena, Jupolli thotë se natyra e llojit të operës në të cilën ka punuar është e zhanrit polistilistik, pra njerëzit kur të vijnë do të dëgjojnë disa zhanre të ndryshme të ngërthyera muzikore, stil që praktikohet nga fundi i shekullit njëzetë. Adaptohet në mënyra të ndryshme, fatmirësisht për llojin e formës që kemi zgjedhur mund të adaptohet edhe në hapësira alternative, siç është “Kino Armata”.

“Është vend adekuat, por kishim preferuar ta kemi vendin tonë adekuat. Imagjinoni ta kishim pasur vendit tonë. Por kjo mënyrë e adaptimit nuk e komprometon as kualitetin e veprës. Opera është forma më e lartë e muzikimit, ku krejt artet ngërthehen në një vend, jorastësisht është formë teatrale. Nuk ka nevojë të pritet për të ndërtuar diçka. Shpija operistike nuk po e them që nuk duhet të bëhet, por duhet të punohet në kushtet që posedojmë, nuk kemi nevojë të presim si shoqëri për të bërë diçka fizikisht”, përfundon fjalën e tij Jupolli.

Image