“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, në kujtim të fëmijëve të vrarë

“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, në kujtim të fëmijëve të vrarë

Kultura May 15, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje

 

Në kujtim të 1024 fëmijëve të vrarë dhe 109 të tjerëve si pasojë e luftës së fundit në Kosovë të hënën u hap ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”. Ekspozita e përgatitur nga Blerta Hoçia zuri vend në Qendrën për Dokumentim të Kosovës, e cila gjendet në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

Një djep që kishte përkundur një fëmijë të vrarë në luftë, një batanije që kishte mbështjellë një tjetër e një lodër me të cilën një i vogël kishte luajtur u bën pjesë e ekspozitës duke i bërë kështu homazh jetëve të këtyre viktimave.

Sipas kuratores Hoçia, ekspozita vjen si një ftesë për përballje e për reflektim, për dialog e për shërim duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do të shtohen në të ardhmen. “Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë, e cila nuk duhet t'i përkasë reales, ashtu si përralla. Një dhomë xhami brenda hapësirës përmban gjithë peshën e objekteve. Për të na kujtuar që kjo ekspozitë të shihet nga këndvështrimi i fëmijëve, këto objekte qëndrojnë pezull si në përrallë, si të përgjumura brenda kutisë së xhamtë. Një përgjumje në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjes që e zgjon kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht. Këto objekte dhe veshje këtu brenda rreshtin së qeni objekte dhe veshje. Ato shndërrohen në rrëfime personale që përcjellin praninë e vet fëmijëve. Një prani kjo e një dimensioni tjetër, e përzier me plumba dhe përralla e që kriset befas ashtu si xhami që i përmban, duke bartur mbi vete gjithë simbolikën e tij”, thuhet në konceptin kuratorial.

Në këtë ekspozitë zunë vend lodrat e gjësendet që u përkisnin fëmijëve, të cilët nuk e patën fatin të rriten e të jetojnë në Kosovën e pasluftës. U kujtua jeta, përditshmëria e loja e tyre.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në hapje të ekspozitës ka thënë se ka vite që mendojnë të memorializojnë një pjesë të asaj çka kanë dokumentuar për krimet e luftës. Sipas tij, sigurisht se në rend të parë kanë pasur pjesën më të brishtë të shoqërisë, që janë fëmijët. “Kemi vendosur të bëjmë diçka që t’i mbajmë mend fëmijët me emra e mbiemra dhe fëmijërinë e tyre të ndërprerë për shkak të luftës”, ka thënë ai.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe të shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK-së janë në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi drejtësinë tranzicionale. Së fundmi, FDHK-ja kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.