Ndizen ekranet e kinemave në Kanë për festivalin prestigjioz

Ndizen ekranet e kinemave në Kanë për festivalin prestigjioz

Kultura maj 16, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje

 

Një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë, ai i Kanës, ka ndezur ekranet e kinemave. Në hapje të festivalit artistët u mblodhën në konferencë për shtyp dhe i porositën të gjithë udhëheqësit botërorë për rrezikun që po i kanoset botës për shkak të injorancës së tyre, ndërsa më së paku u fol për film.

Juria e udhëhequr prej regjisorit të njohur meksikan Alejandro Inarritu, gjatë konferencës vlerësoi se retorika që po dominon skenën politike mund të shkaktojë luftëra të reja. Ai tha se problemi kryesor me atë se çka po ndodh është injoranca.

Regjisori fitues i çmimit “Oskar” me “The Revenant” i bëri këto komente para premierës së filmit të ri të regjisorit të njohur amerikan Jim Jarmush, “The Dead Don’t Die” tregimi i të cilit merret me ngjarjet post-apokaliptike dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. Alejandro Inarritu pati për të shtuar edhe për këtë çështje duke thënë se “bota po shkrihet e këta tipa po udhëheqin me zemërim, tërbim e gënjeshtra duke shkruar fantazi dhe duke i bindur njerëzit se janë të vërteta”.

Yjet e Hollywood-it janë dhe ishin në shumicë kundër presidentit Trump dhe nuk po ndalen me kundërshtimin e tyre duke shfaqur ndjeshmërinë e tyre artistike edhe në tapetin e kuq në Kanë, ku aktori Steve Buscemi mbajti një kapele në kokë ku shkruante “Keep America Racist Again”, duke përqeshur moton e Donald Trumpit “Make America Great Again”.

Ceremonia hapëse e Festivalit në Kanë u shfaq drejtpërdrejt në 600 kinema rreth Francës. Ky është edicioni 72-të i Festivalit të Kanës edhe Kosova ka pavijonin e përbashkët me Shqipërinë, i cili do të jetë i hapur deri më 21 maj 2019.

Qendra Kinematografike e Kosovës do t’i promovojë filmat e fundit kosovarë në kategori dhe në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjithashtu do të ketë takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producentë e distributorë të ndryshëm. Shtandi i Kosovës gjendet në “Village International Riviera” – Pavijoni Nr. 131.

Festivali i Filmit të Kanës ka origjinën e vet në vitin 1932, kur Jean Zay, ministri francez i Arsimit Kombëtar, me propozimin e Philippe Erlanger dhe me mbështetjen e britanikëve e të amerikanëve, kanë ngritur një festival kinematografik ndërkombëtar. Në vitin 1947 festivali është mbajtur si "Film Festival du de Cannes", ku u prezantuan filma nga gjashtëmbëdhjetë vende.