Halilaj ekspozon në Mykonos të Greqisë

Halilaj ekspozon në Mykonos të Greqisë

Kultura May 17, 2019 - 11:21
Lexo më shumë detaje
Image

Artisti i mirënjohur Petrit Halilaj këto ditë prezanton artin e tij para publikut grek. Këtë të premte në Muzeun Arkeologjik të Mykonos arti i Halilajt prezantohet në kuadër të një ekspozite, ku marrin pjesë dhjetëra artistë të spikatur nga shumë vende të botës.

Për gazetën “Zëri” Halilaj ka treguar se në Mykonos të Greqisë, ku jetojnë shumë shqiptarë, ai do të prezantojë projektin “Ru”, i cili prezanton disa artefakte të kohës së neolitit të gjendura në Kosovë në kuadër të ekspozitës “The Palace at 4 a.m.” (Pallati në orën 4 të mëngjesit). “Në Mykonos 70% e popullatës janë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë këtu. Kjo më ka befasuar shumë. Unë po marr pjesë me projektin ‘Ru’, i cili përbëhet nga fragmente ose objekte të kohës se neolitit në Kosovë ose me saktësisht në Runik e që në këtë rast në muze vijnë si zogj”, tregon Halilaj. Në shikim të parë elementet e neolitit në veprën e tij duken si copëza të thyera që në formë të zogjve kanë fluturuar e janë kapur në degë. “Është e vërtetë se duket sikur këto pjesë të thyera kanë ikur nga vitrina dhe kanë fluturuar të lirë në natyrë në formën e zogjve, ashtu sikur kisha dashur të komunikojë kultura e sidomos civilizimet. Ato duhet të lirohen nga historia nacionaliste, si dhe rrëmbimi i kulturës, siç synojnë ta bëjnë shumica e vendeve në Ballkan, duke mos e lënë të lirë të jetë ajo që është”, thekson Halilaj.

Kjo ekspozitë është përgatitur me kujdesin e kuratorëve të mirënjohur Iwona Blazwick dhe Elina Kountouri. Ekspozita e artit bashkëkohor frymëzohet nga koleksioni i Muzeut Arkeologjik të Mykonos dhe e ka marrë emrin nga vepra e Alberto Giacomettit, që quhet “The Palace at 4 a.m.” (Pallati në orën 4 të mëngjesit).

“Pallati në orën 4 të mëngjesit” është një skulpturë e vogël prej druri e krijuar në vitin 1932 si një teatër, përmban një takim dramatik midis një gruaje, një zogu dhe një kolone kurrizore. Skena është një pallat përpara lindjes së diellit, një kohë ëndrrash, fantazish dhe detyra të fshehta. Ekspozita bazohet në dramën e çuditshme të kryeveprës së Giacomettit për të ndezur shpirtrat, ritualet dhe mitet që ndjekin antikitetin, vende arkeologjike si Delos. Ashtu si Delos që një herë mblodhi së bashku njerëz nga e gjithë bota e lashtë, ekspozita “Pallati në orën 4 të mëngjesit” ka një regjistër global prej 13 artistësh. Përveç Halilajt, artistët e tjerë që prezantohen janë: Lynda Benglis, Haris Epaminonda, Simone Fattal, Ian Law, Maria Loizidou, Daria Martin, Duro Olowu, Zohra Opoku, Rena Papaspyrou, Stefania Strouza e Barthélémy.

I lindur në Runik, Petriti është i njohur për punën e tij artistike, e cila është prezantuar nëpër vende të ndryshme në botë. Ai po ashtu njihet edhe për përfshirjen e historisë së qytetit të tij në këto punime. Mund të përmendim këtu ekspozitën e tij në Nju Jork që përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në Runik, ose vitin 2011, kur ai e gërmoi dhe transportoi një copë të madhe dheu nga fshati i tij dhe e shfaqi në Bazel të Zvicrës. Ekspozita “Abetare” ose dërgimi i qilimave në Varshavë.

Në vitin 2018 Halilaj u kthye në Kosovë nga kryeqyteti gjerman Berlini, duke bërë pauzë nga jeta e tij si artist bashkëkohor i vlerësuar ndërkombëtarisht për ta ringjallur një hapësirë që dikur ishte ndër më të gjallat: Shtëpinë e Kulturës në Runik. Me “Shkrepëtimën”, një performancë e bazuar në teatër, e krijuar nga Halilaj dhe me regji të tij, ajo shtëpi u gjallërua.

Para pak muajsh Halilaj ishte edhe në Prishtinë, ku udhëhoqi punëtorinë “A Pristine Blind Date” (Një takim i verbër në Prishtinë), që paraqiti para artdashësve punën e 14 studentëve nga Kosova, si dhe 14 studentëve nga Zvicra, të cilët për disa ditë me radhë duke u njohur me njëri-tjetrin shkëmbyen eksperiencat.

Image