Krusha reagon për çmimoren e “Dodonës”

Krusha reagon për çmimoren e “Dodonës”

Kultura May 17, 2019 - 11:23
Lexo më shumë detaje

 

Pas publikimit të lajmit se “Dodona” ka vendosur një çmimore për shfrytëzimin e sallave të saj, me ç’rast për ta realizuar një projekt teatror në skenën e teatrit të qytetit regjisorët do të duhet të paguajnë, ka reaguar edhe drejtori i “Dodonës”, Visar Krusha.

Në një emision televiziv Blerta Basholli, udhëheqëse e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, vendosjen e çmimores e ka quajtur si një praktikë që është në funksion kudo në botë, në të gjitha teatrot ose institucionet që mund të zhvillojnë të hyra nga hapësirat dhe pajisjet që i posedojnë.

Por pas komentimit të këtij vendimi nga komuniteti artistik Visar Krusha, drejtori i “Dodonës”, e ka bërë një sqarim publik, duke i quajtur absolutisht të pasakta tarifat e çmimores së “Dodonës” dhe sipas tij janë tërësisht të nxjerra jashtë kontekstit, gjë që e bëjnë këtë lajm të pasaktë.

Në një komunikatë ai ka shkruar se çmimorja e TQP “Dodona” është përpiluar nga TQP “Dodona” dhe pastaj është miratuar nga Drejtoria për Kulturë në bazë të Rregullores për të Hyra Vetanake të Institucioneve Kulturore Vartëse të Komunës së Prishtinës, me numër 01020/01-134849/18. “Për produksionet teatrore që prezantohen në ‘Dodonë’ si shfaqje mysafire në Teatrin për Fëmijë ose në Skenën e Mbrëmjes së ‘Dodonës’ çmimorja i përcakton tarifat e ndarjes së të hyrave nga shitja e biletave sipas proporcionit 70% për shfaqjen mysafire e 30% për teatrin nikoqir, një praktikë kjo që aplikohet në të gjitha teatrot në Kosovë. Nuk aplikohet asnjë tarifë tjetër”, shkruan ai.

Ai thekson se produksionet teatrore që dëshirojnë t’i prodhojnë shfaqjet e tyre teatrore në hapësirat e “Dodonës” e me të cilat “Dodona” nuk arrin marrëveshje koproduksioni për një arsye ose një tjetër, ose se produksionet teatrore nuk dëshirojnë të identifikohen me “Dodonën” për një arsye ose një tjetër, i paguajnë tarifat e shfrytëzimit të hapësirave, pajisjeve dhe shërbimeve për realizimin e provave. “Nëse ky produksion shfaqet në ‘Dodonë’ si shfaqje mysafire, atëherë aplikohen tarifat e ndarjes së të hyrave nga shitja e biletave për shfaqjet mysafire si më lart”, thekson ai. Kurse për palët të cilat dëshirojnë t’i shfrytëzojnë hapësirat e “Dodonës” për aktivitete joteatrore dhe për ngjarje artistike në hapësirat jashtë skenës e për të cilat nuk shiten bileta çmimorja i përcakton tarifat për shfrytëzimin e këtyre hapësirave për ditë pune ose për aktivitet. “Duhet theksuar se sipas Rregullores për të Hyra Vetanake të Institucioneve Kulturore Vartëse të Komunës së Prishtinës nga tarifat për shfrytëzimin e hapësirave të ‘Dodonës’ lirohen institucionet shtetërore qendrore dhe lokale, organizatat joqeveritare për personat me nevoja të veçanta dhe organizatat të cilat ushtrojnë aktivitet jofitimprurës dhe që konsiderohen me interes publik, pas pëlqimit të marrë paraprakisht nga Drejtoria për Kulturë. Nga tarifat janë të liruar edhe provimet e studentëve të Fakultetit të Arteve, edhe këtu pas pëlqimit të marrë paraprakisht nga menaxhmenti i TQP ‘Dodona’”, është thënë në njoftimin për komunitetin artistik.