Kërkohet ribërja e sezonit të fundit të “Game Of Thrones”

Kërkohet ribërja e sezonit të fundit të “Game Of Thrones”

Kultura maj 20, 2019 - 11:57
Lexo më shumë detaje

 

Duket se adhuruesit nuk janë aspak të kënaqur mbi mënyrën si producentët David Benioff dhe D.B Weiss kanë ndërtuar sezonin e fundit të serisë së famshme “Game Of Thrones”. Si rrjedhojë, të enjten në mëngjes nisi një peticion online ku theksohet se sezoni final i serisë së famshme duhet të ribëhet.

Qëllimi është që të grumbullohen 500000 njerëz të pakënaqur nga sezoni i tetë. Deri më tani janë mbledhur rreth 400 mijë të tilla.

Nga ana tjetër, edhe pse ka njerëz të pakënaqur sezoni i tetë ka grumbulluar mesatarisht 43 milionë shikues për episod, gati 10 milionë më shumë se sezoni i shtatë. Njerëzit kritikojnë mënyrën si janë shkatërruar karakteret. Daenerys Targaryen, sipas tyre, u kthye krejt papritur në Mad Queen (Mbretëresha e Çmendur) dhe nuk ka një linjë të detajuar të ndryshimit të figurës së saj. Po kështu Brienne u transformua nga një luftarake e zonja në një personazh që i lutet dikujt për të mos e lënë vetëm. Momente kyçe mbeten të pashpjeguara: si shkoi Arya te Night King, kush ishte Night King, çfarë kuptim ka kali i bardhë në serinë e pestë, pse nuk u përmbush profecia e Cerseit etj. “Nuk kërkojmë një fund të lumtur, kërkojmë një fund që të ketë logjikë”, shkruhet në internet.

Gjithashtu sipas adhuruesve të filmit ai ka pasur edhe shumë gafa. Një prej tyre është një gotë kafe e Starbucks në njërën nga episodet e “Game Of Thrones”, e cila shkaktoi kritika nga shikuesit duke thënë se seria më e re e filmit nuk ishte punuar me kujdes.