“Tango”, premierë sonte në “Dodonë”

“Tango”, premierë sonte në “Dodonë”

Kultura May 21, 2019 - 11:30
Lexo më shumë detaje

 

 

Albana Muja në koproduksion me TQP “Dodona” shfaq premierën “Tango” këtë të martë të datës 21 maj, me fillim në orën nëntë të mbrëmjes.

Shfaqja është e bërë nga Albana Muja dhe me regji të Ekrem Sopit, kurse luajnë Anisa Ismaili dhe Rabije Kryeziu. Kompozitor i shfaqjes është Memli Kelmendi, pastaj skenografia është e realizuar nga Bujar Selimi, fotograf Avni Selmani dhe me fizarmonikë luan Shkumbin N. Miftari. “Tango” vjen vetë me aurë kontemporane, ku personazhet janë në dilemë; të shkojnë drejt ferrit, parajsës ose të kthehen “ku” nuk ecën ora. Loja e tyre vazhdimisht përcillet me konflikt real.

Mësohet se ngjarja ndodh në klinikën (stacionin) e fundit drejt “botës tjetër”, ose në klinikën e quajtur “dielli i zbehtë”. Roja e natës, një grua e cila i terrorizon gratë e tjera, është aty, aty janë edhe dy aktore, të cilat i ka shndërruar në leckë.

Autorët zotohen se në “Tango” në mënyrë përmbajtjesore do të goditen të metat e asaj shoqërie. Dy grave të shtypura tash u vjen koha që të shpërfaqin veten e tyre. Ato njëkohësisht na bëjnë ta shohim edhe veten tonë. Pra duke e njohur veten e tyre në situata të caktuara, të cilat do të paraqiten në variantin dokumentar që merret si bazë e teatrit kontemporan. “Nuk do ta fshehim teatrin e të shfaqim iluzion, por do të krijojmë gjithçka para publikut. Nuk do ta fshehim anën teknike, por do ta fokusojmë atë artistike. Do të përdorim sallën si të thatë, të virgjër, ku do të eksplorojmë përbrenda audiencës e cila do ta besojë. Kur e sheh një koncentrim të madh si elementi bazë i teatrit postmodern dhe dramës postdramatike, ku aktori do ta ketë një butësi që të paraqitet në tërësinë e vet, me sensualitet dhe me një koncentrim jo të natyrshëm… Dhe nga kjo ‘ngjyrë’ buron edhe muzika. …Skenat e dashurisë, me detaje erotike, do të krijohen e do të mbështillen me bukurinë e mendjes dhe me puthje unike të çuditshme, por të besueshme dhe gjithçka në harmoni me thelbin e shfaqjes. Do të luajmë me shtazaraken e njeriut, si ton i thekshëm i teatrit postmodern… ‘Tango’ do të ndjekë jo vetëm madhështoren, por edhe të renë. Ana abstrakte është me shumë sensualitet për arsye të kulturave të ndryshme. Nuk do të ketë simbole për hir të simboleve, por simbole përmbajtjesore dhe të lexueshme”, shkruhet në njoftim. Po ashtu thuhet se transkulturalizmi dhe problemet njerëzore janë të përhershme dhe të përbotshme. Problemet e huaja për një lokalitet ky lloj teatri i shndërron në probleme universale. Me qëllim të arritjes së kësaj gjendjeje shfaqja do të ketë një atmosferë të ftohtë, ku vetë ngjarja tërheq shikuesin në një realitet tjetër, duke u zhytur ngadalë në ritmin e tyre organik që të hyjmë në një botë tjetër pa i trazuar.