Luan Qukani, poçari i fundit në Gjakovë

Luan Qukani, poçari i fundit në Gjakovë

Kultura May 22, 2019 - 09:55
Lexo më shumë detaje
Image

Me të hyrë në “Çarshinë e Madhe” në Gjakovë akoma dëgjohet aroma e punës në punëtorinë, e cila zhvillon artizanatin që flet për rrënjët shqiptare, pra për poçarinë.

Aty dhe sot vlejnë vargjet e Agollit për poçarin “Unë e një poçar e tjetër s'kishte, vazot frynte deti Marmara, vazove poçari shqip u fliste”.

Njëjtë edhe sot Luan Qukani po i këndon shqip këtij artizanati dhe me ëndje po kujton kohën kur vlerësohej ky zanat. Kohën kur poçaria i lidhte njerëzit mes vete, kohën kur familjet mbaheshin nga ky artizanat dhe për dashurinë që të ofron po ashtu kjo punë. “Stërgjyshi ose katragjyshi im kish pasë filluar mësimin tek ustai i tij në zejen e poçarisë, ai e ka vjedhë këtë zanat shumë mirë prej tij. Por edhe pas një pune shumë të gjatë që e ka bërë me ustain (mjeshtër), edhe pasi është ndarë nga ai aq shumë kanë qenë të lidhur, saqë tregun e shitjes e kanë zhvilluar në një dyqan”, ka nisur rrëfimin e tij për gazetën “Zëri” Luan Qukani, i vetmi poçar që i ka mbetur qytetit të Gjakovës.

Ai ka treguar se në Gjakovë vetëm familja e tij e zhvillon sot këtë zanat. “Në Gjakovë mundem me thënë se jemi vetëm familja jonë që e zhvillojmë këtë zanat. Para gjashtëdhjetë vjetëve kanë qenë katër poçarë, po ata tashmë nuk janë. Pas babagjyshit edhe gjyshi im ka vazhduar ta trashëgojë këtë zanat dhe nuk është e gjitha pasion, më shumë është frymë e trashëgimisë”, rrëfen për “Zërin” poçari Qukani.

Luan Qukani është gjenerata e katërt që zhvillon zejen e poçarisë. Me këtë punë pa iu bërë monoton, siç thotë ai, merret qe 34 vjet. “Përpara ka pasë shumë më tepër poçarë në kohët e fundit mundem me e thënë lirisht se kemi mbetë për me i numëru me gishta në gjithë Kosovën. Unë jam nga Gjakova dhe zanati i poçarisë është në shuarje. Unë e kam mbajtur këtë zeje, sepse e kam trashëguar nga prindi dhe do ta zhvilloj deri në fund”, tha ai.

I pyetur se a do t’ia lërë trashëgim edhe fëmijëve të tij ose a do të vazhdojë me këtë zanat edhe gjenerata e pestë, Luani thotë se me shumë qejf ia kishte lënë djalit të tij. “Unë besoj te djali, por nuk i dihet tash të rinjve. Nuk është pasion, është më shumë trashëgim, se me pasion mësohet gjithçka kurse zeja e poçarisë është më shumë trashëguese. Edhe për me thënë të drejtën unë mbaj familje prej këtij zanati, prej së cilës e jetoj një jetë solide, por jo për t’u bërë pasanik. Ky zanat nuk është se edhe sot vlerësohet kushedi se sa, por mbi të gjitha ka njerëz që dëshirojnë që të kenë pjesë të shtëpisë poçet dhe ruhen me ëndje në familjet shqiptare”, rrëfen Qukani.

Për dikë konsiderohet se ky profesion është i vështirë që të zhvillohet, por për Qukanin është bërë pjesë e jetës. Ai krahason kohën e kaluar se në çfarë kushtesh primitive e kanë zhvilluar këtë profesion prindërit e tij, kurse tani kanë ndryshuar mjetet dhe i është lehtësuar në përqindje puna. “Duhet të ketë kushte të mjaftueshme që të zhvillohet si profesion dhe duhet të ketë mjete të punës, të cilat rrallë e hiç diçka prej tyre mund të gjejmë në Kosovë. Shumicën e mjeteve ne i blejmë jashtë vendit. Me teknologjinë më të re, edhe më efikase e kualitative dalin edhe poçet. Unë deri më tash nuk kam mund me gjetë mjete në Kosovë që e ndihmojnë punën time”, thekson ai.

Luani ka folur edhe për ecurinë e punës se si arrihet të gjenden mjetet e punës e si përpunohen materialet deri te faza finale. Ai tutje ka njoftuar se argjilën e marrin në Gjakovë, në Kodër të Çabratit, aty e gropojnë dhe e përpunojnë me mjete të punës dhe sipas tij do shumë përkushtim derisa të vijë te procesi final. “Fazat e punës janë bajagi të vështira, e them të vështira jo për mua, por që nuk mundet të i realizojë një njeri i thjeshtë i cili dëshiron të mësojë diçka. Në fillim argjilës duhet me ia gjetë lokacionin se ku e marrim, pavarësisht se ne në Gjakovë e kemi Kodrën e Çabratit, edhe aty për me gjetë argjilën nuk është e kollajshme, duhet me e ditë pak a shumë me hulumtu që të gjendet argjila, e cila neve na është bash e nevojshme për me arrit një rezultat në finalizimin e poçeve”, rrëfen poçari, i cili tutje thotë se pasi të gropohet argjila e bartin në punëtori, pastaj i nënshtrohet disa fazave, si përpunimi dhe heqja e degëve, bluarja e argjilës, heqja e mbeturinave. Në fund futja në vakuum prez dhe bërja e topave për ta çuar në qark në enën e dëshiruar që i nevojitet për ta marrë formën e dëshiruar.

Për këtë artizanat Qukani tha se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë lëvizje që të ruhet. “Po e përsëris, të mos kish qenë Këshilli i Evropës unë ndoshta deri tash isha detyrua me e lanë këtë zanat. Ata më kanë përkrahur shumë, më kanë ofruar mundësinë që në Muzeun Etnologjik të Kosovës në kuadër të ‘Javës së Artizanaleve’ ta promovoj punën time dhe nga aty njerëzit më kanë parë, janë interesuar dhe ky hap ka vendosur që unë edhe sot ta zhvilloj këtë zanat”, tha ai.

Në Ditën e Muzeve Qukani ka marrë ftesë prej koordinatores së Muzeut që të jetë pjesë e aktiviteteve në shënimin e Ditës së Muzeut. Nxënësve parafillorë dhe fillorë Qukani ua ka mësuar se si zhvillohet ky zanat, që ata të jenë të informuar me punët e të parëve. “Do t’ua demonstroj atyre dhe do t’ua shpjegoj punën e poçarisë. Kanë me pas rastin që fëmijët ta provojnë vetë dhe të mësojnë njëkohësisht prej këtij zanati. Ky profesion i lidh shumë njerëzit mes vete. Unë nuk kam punëtorë, por së bashku me gjithë familjen e zhvillojmë vetë”, ka përfunduar fjalën e tij poçari i fundit që i ka mbetur Gjakovës.

Image