“O moj Shqipëri” luhet në Kosovë në 20-vjetorin e Çlirimit

“O moj Shqipëri” luhet në Kosovë në 20-vjetorin e Çlirimit

Kultura qershor 11, 2019 - 09:45
Lexo më shumë detaje
Image

Shfaqja “O moj Shqipëri” është premiera që kthen në Baletin Kombëtar të Kosovës koreografin e mirënjohur shqiptar Pullumb Agalliun. Për të shënuar 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Agalliu tematikën e kësaj shfaqjeje e orienton në tri faza përmes të cilave ka kaluar populli shqiptar.

Premierës, që jepet sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, i parapriu një konferencë për medie, në të cilën koreografi Agalliu sqaroi se te baleti “O moj Shqipëri” ndërlidh temën e koreografisë së tij me poemën e Pashko Vasës “O moj Shqypni” dhe manifestin ideologjik të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Këtë Agalliu tha para gazetarëve se e ka bërë duke e ndarë në tri pjesë koreografinë e tij, me motive atdhetare dhe aleancës perëndimore. “Duke marrë kompozitorë të shquar të rapsodisë shqiptare dhe simfoninë e IX të Beethovenit, që i përgjigjet hyrjes së aleancës së NATO-s në Kosovë, koreografia trepjesëshe është një poemë, diçka filozofike, që po arrin drejt qëllimit të saj”, u shpreh koreografi Pullumb Agalliu.

Nga besimi që ka krijuar ndër vite në Trupën e Baletit të Kosovës ai konsideron si fat që ka marrë përsipër bashkëpunimin me ta për një shfaqje feste si kjo. “Me kënaqësi do t’i them disa fjalë. Kjo është një kërkesë para disa muajve që më ka bërë zoti Ahmeti, ishte kënaqësi e veçantë njëkohësisht dhe për mua është fat i madh, e mora shumë seriozisht këtë shfaqje dhe kam punuar gjatë gjithë kohës që të vij sa më i përgatitur duke pasur parasysh se edhe koha ishte e shkurtër, edhe Trupa e Baletit aktive me shumë premiera. Me thënë të drejtën unë kisha një besim se kjo Trupë e ka dëshmuar veten jo një herë, por disa herë me talentin dhe me mundin e tyre japin shfaqje shumë të dinjitetshme, edhe ardhja ime këtu ishe shumë me kënaqësi dhe isha shumë i sigurt se kjo punë do të mbarojë si është më së miri”, u shpreh Agalliu.

Sipas tij, meqë kjo shfaqje i dedikohet njëzetvjetorit të Çlirimit të Kosovës, është poentë koreografike që është ndarë në tri pjesë: Shqipëria e lumtur, Shqipëria e zakonshme, që gjithmonë na kanë copëtuar, dhe pjesa e tretë çlirimi, ndihmën të cilën na ka dhënë NATO-ja për çlirimin e plotë.

vlerëson se nuk është ide e thjeshtë, por me punë dhe me këmbënguljen e Trupës nuk kanë hasur në ndonjë vështirësi, kanë dhënë një kontribut të shkëlqyeshëm dhe do të jetë spektatori ai që do ta bëjë vlerësimin.

Sinan Kajtazi, ushtrues detyre i drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, shprehu nderin dhe konsideratën që i është dhënë rasti përmes kësaj premiere të jetë pjesë e festimeve të 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. “Nesër është premiera për publikun e hapur, kurse më datë 12 qershor do të shfaqet shfaqja enkas për të ftuarit e jashtëm, pra në kuadër të protokollit shtetëror. Dua të theksoj se kjo shfaqje është organizuar nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sigurisht se ajo që meriton vëmendje është që balerinët e Baletit të Kosovës brenda katër muajsh po organizojnë premierën e tretë. Kjo sigurisht se është një sfidë jo vetëm për ne si balerinë, por si balerinë kudo në botë, sepse veç hapat e muzikën t’i mësosh për tri projekte nuk është pak e lëre më që ne kemi edhe repriza në vazhdimësi”, theksoi Kajtazi.

Ai tha se një urim shumë të veçantë duhet drejtuar profesorit Pullumb, i cili ka punuar me një pasion të jashtëzakonshëm sikurse ka bërë edhe tri herët e tjera që ka qenë me Trupën e Baletit. “Po ashtu balerinët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe me përkushtim gjithmonë me tendencën që të dalin sa më të mirë para publikut. Po ashtu edhe gjithë ekipin përcjellës të shfaqjes, stafin tekniko-artistik, mjeshtrit e dritave, kostumografët. Jam tejet falënderues”, tha ai.

Ahmet Brahimaj, kryetar i Këshillit Drejtues, vlerësoi punën e profesor Agalliut. Sipas tij, nuk është aspak e lehtë të vihet në skenë një shfaqje me 27 balerinë. “Trupa e Baletit e ka bërë një punë shumë profesionale në mënyrën më të mirë të mundshme, meqë nuk është prej shfaqjeve të lehta për t’u luajtur, është një prej shfaqjeve që ka temp shumë dhe do shumë dinamikë, lojë e kërcim. Nuk ka qenë lehtë edhe për kondicion, por edhe për t’i mbajtur mend gjithë ato lëvizje, që të përcillet me muzikë, që të përcjellë te publiku emocion”, theksoi Brahimaj.

Kryetari i Këshillit Drejtues të këtij institucioni, Ahmet Brahimaj, nuk la pa përmendur telashet financiare me të cilat ky institucion po përballet. “Është duke u bërë punë shumë e madhe brenda këtij institucioni, edhe pse ne jemi qe një vit ose më shumë si institucion në njëfarë krize që MRKS-ja pa dije ose me dije e ka futur në këtë telash. Kemi probleme me bashkëpunëtorë, nuk mundemi t’i paguajmë me kohë. Për shembull profesori Pullumb nuk e ka marrë as edhe një lek për mëditje. E kam thënë dhe prapë po e them, jemi në një situatë ku ajo çfarë uroj është ‘ishalla po shpëtojmë’”, tha ai.

Brahimaj po ashtu tha se baleti është art i ndejshëm dhe nuk ka kohë të pushohet, të bëhen greva ose bojkote, por problemet duhet të zgjidhen. “Me përkrahjen e mjeteve të informimit dhe me lojën e balerinëve punën që e kanë bërë në mënyrë sistematike nuk ka pasur asnjë problem, kemi arritur të kemi një respekt në Kosovë dhe jashtë Kosove. Ne jemi të obliguar që këtë respekt ta mbajmë me çdo kusht pa marrë parasysh se ata që duhet të na përkrahin po na sabotojnë. Kisha thënë se koha është për t’u ngjallur edhe institucionet e kulturës”, u shpreh ai për “Zërin”.

Rikujtojmë se “O moj Shqipëri” nga Pullumb Agalliu dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës jepet premierë më datë 11 qershor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Image