Dhjetëra filma në Prishtinë për 20-vjetorin e Çlirimit

Dhjetëra filma në Prishtinë për 20-vjetorin e Çlirimit

Kultura qershor 11, 2019 - 09:56
Lexo më shumë detaje

 

Në kuadër të aktiviteteve “20/00”, që po mbahen për nder të 20-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, është edhe “Java e Filmit”, e cila mbahet në kino “Armata”. “Java e Filmit” organizohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me kino “Armatën” për nder të njëzetvjetorit të Çlirimit të qytetit të Prishtinës. Pra edhe kjo “Javë” organizohet në kuadër të 20 aktiviteteve të tjera që organizohen nga Komuna e Prishtinës për shënimin e këtij njëzetvjetori.

“Java e Filmit” do të ndodhë përgjatë javës së tretë të muajit qershor në kino “Armata”. Filmdashësit do të kenë mundësi të shikojnë filma të ndryshëm, të prodhuar në Kosovë. Këta filma në një formë ose tjetrën trajtojnë tematika dhe rrëfejnë histori që lidhen me tranzicionin e shoqërisë kosovare gjatë këtyre viteve. Vitet e ’90-ta, lufta 1998 - 1999, aspektet socialo-ekonomike, filma të shkurtër, të gjatë dhe dokumentarë na presin në kino “Armata” çdo mbrëmje prej 17 deri më 23 qershor.

Prodhimi i filmave që janë në këtë program, përveç filmit "A Normal Life", i cili është realizuar më 2003-n, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pas shfaqjes së filmave do të kemi mundësi të bashkëbisedojmë me personat që kanë qenë pjesë e ekipeve realizuese të filmave. Hyrja është falas.

Filmat e parë në kuadër të kësaj “Jave” shfaqen më 17 qershor, në orën 20:00 dhe janë “Ajo” (13’) nga More Raça, si dhe “Martesa” (97’) nga Blerta Zeqiri. Programi vazhdon të martën me filmat “Një muaj” (26’) nga Zgjim Terziqi dhe “Daullet e rezistencës” (65’) nga Methieu Jouffre, ndërsa të mërkurën vijohet me “Gardhi” (15’) nga Lendita Zeqiri dhe “Me dasht, me dasht, me dasht” (90’) nga Ilir Hasanaj. E enjtja është rezervuar për filmat “Tisa” (21’) nga Valter Lucaj dhe “Përtej rrugës” (81’) nga Yll Çitaku, kurse të premten shfaqen “Ferdonija” (30’) nga Gazmend Bajri dhe “Histori maje kulmi” nga Gazmend Nela (74’).

Të shtunën para publikut prezantohet filmi i cili dërgoi Kosovën në “Oscars”- “Shok” (21’) nga Jamie Donoghoue, si dhe “A Normal Life” (65’) nga Hugo Berkeley dhe nga Elizabeth Chai Vasarhelyi.

“Java e Filmit” përmbyllet me “Kanarinët e dinë” nga Kaltrina Krasniqi (17’) & “Babai” (104’) nga Visar Morina, që shfaqen të dielën, më 23 qershor.