'Daullet e rezistencës' dhe 'Një muaj', sonte në kinemanë 'Armata'

'Daullet e rezistencës' dhe 'Një muaj', sonte në kinemanë 'Armata'

Kultura June 18, 2019 - 10:13

Dita e dytë e “Javës së Filmit” në Prishtinë vazhdon me dy filma kosovarë. Sonte në kinemanë “Armata” për gjithë adhuruesit e kinematografisë do të shfaqen filmat “Një muaj” (26’) nga Zgjim Terziqi dhe “Daullet e rezistencës” (65’) nga Methieu Jouffre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Filmi “Një muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40-vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen ndaj saj, secila me rend nga një muaj. Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha e Lis Spahiu.

Në anën tjetër, dokumentari “Daullet e rezistencës” me skenar dhe me regji nga Mathieu Jouffre dhe producente e bashkëskenariste Besa Luci, rrëfen për atë se si një shoqëri dhe realiteti paralel ishin ndërtuar në Kosovë gjatë viteve 1990. Ai shfaq mënyrën se si segregacioni dhe aparteidi u bënë normë e asaj kohe.

Filmi eksploron historitë e mësimdhënies nëpër shkolla, bodrume, banesa private, dyqane dhe shumë hapësira të tjera të kthyera në objekte shkollore. Është tregim mbi angazhimin shoqëror e civil, si dhe aktivizmin në Kosovë, që fuqizoi dhe mundësoi që jeta publike e shqiptarëve të marrë formë.

Ky film përcillet me muzikën origjinale të shkruar dhe të performuar nga Liburn Jupolli.

“Java e Filmit” është organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me kinemanë “Armata” për nder të njëzetvjetorit të Çlirimit të qytetit të Prishtinës. “Java e Filmit” do të ndodhë përgjatë javës së tretë të muajit qershor në kinemanë “Armata”. Filmdashësit do të kenë mundësi të shikojnë filma të ndryshëm, të prodhuar në Kosovë. Këta filma në një formë ose në tjetrën trajtojnë tematika dhe rrëfejnë histori që lidhen me tranzicionin e shoqërisë kosovare gjatë këtyre viteve. Vitet e ’90-ta, lufta 1998-1999, aspektet socialo-ekonomike, filma të shkurtër, të gjatë dhe dokumentarë na presin në kinemanë “Armata” çdo mbrëmje prej 17 deri më 23 qershor.

Prodhimi i filmave që janë në këtë program, përveç filmit “A Normal Life”, i cili është realizuar më 2003-n, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pas shfaqjes së filmave pjesëmarrësit do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me personat që kanë qenë pjesë e ekipeve realizuese të filmave. Hyrja për të parë të gjithë filmat është falas. Zëri