Shumicës së filmave kosovarë origjinali u ruhet në Beograd

Shumicës së filmave kosovarë origjinali u ruhet në Beograd

Kultura June 19, 2019 - 10:17
Lexo më shumë detaje
Image

Në kuadër të “Kosovafilmit” në Kosovë funksionon edhe “Kinoteka”, arkivi i veçantë publik për lëndën filmike, qëllimi i të cilit është të grumbullojë, të ruajë, të mbrojë dhe të restaurojë lëndën filmike që është prodhuar ndër vite në Kosovë. Mirëpo kjo “Kinotekë” nuk i plotëson kushtet për ruajtjen e origjinalit të as edhe një filmi të vetëm. Këtë për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar edhe Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”. Kjo “Kinotekë” është themeluar paralelisht me “Kosovafilmin” qysh në vitet e ’80-ta. Si arkiv është rithemeluar në vitin 2004, me mbledhjen nëpër terren të disa filmave të vjetër. Sot për sot, për shkak të kushteve kjo “Kinotekë” nuk po mundet ta realizojë të plotë misionin e saj, i cili është dokumentimi i historisë së kinematografisë së Kosovës.

Mehmetaj: “Kinoteka” ka 25 filma pozitivë, asnjë origjinal

Gani Mehmetaj, drejtues i “Kinotekës” për gazetën “Zëri” ka treguar se si në fillet e saj nuk ka pasur asnjë material dhe filmat i ka mbledhur nga shtëpitë e kulturës, nëpër kinematë e qyteteve dhe në Bibliotekën Kombëtare. Mehmetaj njofton se “Kinoteka”, e cila funksionon në kuadër të institucionit që ai udhëheq, numëron të arkivuar rreth 20-25 filma. Por sipas tij, “Kinoteka” nuk plotëson kushtet për t’i ruajtur filmat origjinalë dhe se asnjë film origjinal nuk ruhet në këtë kinotekë. Të gjithë janë filma pozitivë ose të shumëzuar. “Tre filma negativë i kemi duke u ruajtur në Tiranë, tjerët i kemi në Beograd. Kemi edhe filma të jashtëm që janë bërë në vitet e ’80-ta, kopjet pozitive i ruajmë dhe ne kemi të drejtë t’i shfaqim në projeksione të mbyllura si në ‘Kinotekë’, për shembull vijnë studentë të ndryshëm, kategoria e caktuar e Akademisë së Filmit, por jo për publik të gjerë dhe me pagesë”, njofton Mehmetaj.

Filmi më i vjetër që është regjistruar në kopjet pozitive në këtë “Kinotekë” është “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, që në atë kohë ka qenë filmi më i shikuar në Ish-Jugosllavi. Sipas Mehmetajt, origjinali i këtij filmi gjendet në Beograd. “I kemi disa filma dokumentarë, para tre vjetëve e pashë në ‘Kinotekën’ e Zagrebit një film të vitit ’48-të që është xhiruar në Istog, kur është hapur burimi i një lumi në Istog dhe është ndërtuar penda, film që nuk e kemi ne, por negativi ruhet në Zagreb. Në Novi Pazar është filmi tjetër i viti 1904 i bërë për ne që hyn për kah vjetërsia në të parët, film i anglezëve që është xhiruar në kohën e Turqisë, ku shihen gjithë pjesët shqiptare, me plisa, me xhamadanë, pra njihet si filmi i Novi Pazarit”, rrëfen drejtuesi i “Kosovafilmit” duke theksuar faktin se pjesa më e madhe e filmave kosovarë ruhet në Beograd.

“Mbi 90 për qind të filmave kemi atje. Ka pasur disa filma pozitivë që i kemi kopjuar nga Beogradi, sepse negativat e filmave i kemi në Beograd. Sipas ligjit jugosllav, çdo shtëpi filmike ka dorëzuar filmat, kurse shtetet tjera Kroacia, Sllovenia kanë bërë një marrëveshje me Beogradin dhe kanë siguruar ‘double filmin’, e kanë kopjuar negativin dhe kanë sjellë në shtetin e vet. Ne akoma nuk kemi bërë asgjë në këtë drejtim, sepse duhet të sigurohet një marrëveshje e veçantë e ‘Kosovafilmit’ dhe e Beogradit, por mbi të gjitha duhen para sepse ato kushtojnë, ne paguajmë edhe përpunimin e filmave”, tha ai.

15 vjet kërkesë për plotësimin e kushteve

Mehmetaj thotë se tash e 15 vjet kërkojnë nga institucionet që kësaj “Kinoteke” t’i sigurohen kushtet e nevojshme, por nga Ministria e Kulturës asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri për ta përkrahur një ide të tillë. “Realisht ne nuk kemi kushte për ruajtjen e negativave. Ato filma negativë që i kemi janë dërguar në Tiranë në arkivin e shtetit, ngase i kanë kushtet e përshtatshme. Duhen kushte të veçanta për ruajtjen e filmave, duhet të jenë frigoriferët e veçantë me dyer të blinduara, me temperaturë të caktuar me shkallën dhe me lagështinë e duhur”, thekson ai.

Ai thotë se kur të bëhet “Kinoteka” me kushtet e duhura filmat që janë në Beograd mund të rikthehen, pra mund të kërkohen dhe të kthehen në vendin e autorit. Mehmetaj konsideron se një hapësirë në Bibliotekën Kombëtare, në podrumin e dytë, është ambient i përshtatshëm për këtë “Kinotekë”. Sipas tij, aty është freskia e duhur, ku të paktën mund të ruhet diçka sa u përket filmave tanë. “E kemi bërë edhe projektin për ‘Kinotekën’. Kjo punë është qe 15 vjet. Kemi bërë debate të ndryshme, kemi zhvilluar biseda për ‘double negativin’ që mund të shkojë pastaj në Hungari, që të dublifikohet dhe të kthehet këtu, por nuk ka rezultat”, tha Mehmetaj.

“Kinoteka” tash funksionon në dy forma. Është bërë digjitalizimi dhe kopjet pozitive janë digjitalizuar në Zvicër dy vjetët e kaluara. Mehmetaj njofton se posedojnë kompjuterët e caktuar, të një çmimi të shtrenjtë që ka kapacitet për 50 vjetët e ardhshme t’i ruajë filmat që xhirohen në Kosovë. Në bazë të Ligjit për Kinematografi të Republikës së Kosovës producenti vendës i një vepre filmike brenda një viti nga dita e premierës ose projektimit publik e ka për detyrë që “Kinotekës” t’ia dërgojë një kopje të papërdorur të

veprës filmike. I pyetur se sa po respektohet ky ligj Mehmetaj thotë se ka zhvillime pozitive. “Negativi është shiriti i filmit që nuk del në dritë, prej tij mund të shumëzohen filmat. Ai ruhet në laboratorë, pra është origjinali. Nuk mund të shfaqet, nuk mund të dalë prej hapësirës së caktuar, paketohet dhe dërgohet në laborator në Hungari. Në Ballkan vetëm Hungaria ka laborator për kopjimin e negativit, por edhe të pozitivit. Beogradi dhe Zagrebi e kanë pasur, por më nuk e kanë. Sistemi i socializmit i ka shkatërruar këta laboratorë”, njofton ai.

Mehmetaj: 50 mijë shikues në të kaluarën, ky rekord nuk u thye as sot

Në periudha të ndryshme historike në Kosovë janë prodhuar filma të zhanreve e të metrazheve të ndryshme, por i pari i “Kosovafilmit” konsideron se vitet ’70-ta mund të veçohen. I pyetur se në cilat vite Kosova ka pasur prodhimtari më të madhe të filmave, Mehemtaj specifikon vitin ’78-të, kur janë bërë dy filma artistikë dhe dokumentarë. “Edhe në kohën më të pëlleshme janë bërë një ose dy filma në vit. Filmi artistik kushton shtrenjtë ndër 500 mijë euro film nuk bëhet. Njerëzit që atëherë janë njohur më shumë për prodhimtari të filmit janë: Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Ismail Ymeri, Isa Qosja, Agim Sopi dhe Emin Halili. Janë njohur për filma të mirë dhe për suksese edhe në Ish-Jugosllavi, edhe në Evropë”, shprehet ai duke shtuar që sipas një statistike që kanë pasur filmat “Kur pranvera vonohet” dhe “Njeriu prej dheut” kanë thyer rekordin e shikueshmërisë. Sipas tij, rekorde të tilla nuk po arrihet të thyhen edhe sot, pas shumë vitesh.

Mehemetaj thekson se filmat asokohe i kanë shikuar rreth 50 mijë shikues për secilin prej tyre, duke u shfaqur në gjithë Kosovën, që numëronte 33 kinema. “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, në regji të Miomir Stamenkoviqit dhe asistent Ekrem Kryeziut konsiderohet si një ndër filmat më të vjetër kosovarë. Ky film është realizuar në vitin 1968. Filma të tjerë të paharruar janë edhe “Si të vdiset”, prodhim kosovar i vitit ’72 ose “Era dhe Lisi”, që është filmi i parë artistik shqiptar i Kosovës ku regjisori, skenaristi, producenti, kameramani, kompozitori, aktorët janë shqiptarë. Ky film u cilësua si fazë e re e kinematografisë shqiptare.

Kësaj liste i shtohen edhe filmat “Kur pranvera vonohet”, në regji të Ekrem Kryeziut dhe me skenar të Azem Shkrelit, “Lepuri me pesë këmbë”, në regji të Ismail Ymerit e producent Rifat Kukaj, “Njeriu prej dheu”, i vitit ’84 në regji të Agim Sopit, “Proka” në regji të Isa Qosjes, “Pikniku” në regji të Emin Halilit, “Rojet e Mjegullës” e Isa Qosjes, “Vjeshta e trëndafilave” e Agim Sopit dhe “Kur shpirti ndërron jetë” në regji të Ismail Ymerit. Shumë prej këtyre konsiderohen si filmat nismëtarë të historisë së filmit në Kosovë, prodhime të cilat sot e kanë vetëm kopjen në vendin e krijimit, pra në Kosovë. ZERI